Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur se presidenti Hashim Thaçi kot negocion me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiçin, sepse nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë në llogarinë e tyre, pasi Kosova nuk mund të heqë dorë nga territori i saj.

 

Sipas tij kreu i shtetit është i vetmuar dhe nuk e ka përkrahjen e popullit, sikur që nuk e ka as mandatin e Kuvendit për çfarëdo negociatash.

 

Gjithashtu Kurti në një intervistë për mediat serbe, vlerëson se ideja e delimitimit mund të duket tërheqëse për disa rryma brenda BE-së, sepse Serbia duhet ta përmbushë artikullin 35 në negociatat për anëtarësim, që nënkupton definimin e territorit dhe të kufijve, mirëpo që Kosova nuk mund të heqë dorë nga territori i saj dhe nga interesat e saj jetike për shkak të Serbisë.

 

Përkujton që Serbia duhet ta njohë Kosovën, kurse në anën tjetër BE duhet që, për shkak të ruajtjes së paqes në tërë rajonin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, t’i anëtarësojë të gjitha vendet së bashku.

 

“Serbia na do neve, qytetarëve të Kosovës, si konsumatorë të mallrave të saj, derisa prodhuesit tanë praktikisht nuk kanë shans të eksportojnë në Serbi. Qëndrimi ynë është për reciprocitet të plotë me Serbinë. Reciprociteti në marrëdhënie është parimi real. Negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë i duhen më shumë Vuçiçit sesa neve”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re