Albin Kurti nuk ka pranuar të komentojë rezervat e Presidentes mbi asociacionin, por shton se marrëveshjen mund ta publikojnë vetëm ndërkombëtarët. Edhe një herë për mediat ai shprehet se është Serbia që nuk pranon ta zbatojë paktin, ndërsa kërkon sanksionimin për shkak të sulmit në Banjskë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dy ditë më parë ka shprehur rezerva për disa nga pikat e asociacionit të katër komunave në veri.

Për mediat ajo tha se koha është për t’i korrigjuar, por gjithsesi filtri I fundit do të jetë gjykata kushtetuese.

I pyetur mbi këtë qëndrim kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të bëjë komente.

“Po bëhen nëntë muaj që jeni dakorduar në Bruksel dhe gjatë këtyre nëntë muajve Serbia i ka shkelur marrëveshjet. Draft-statutin duhet bërë publik nga ndërkombëtarët”.

Sa i përket zvarritjes së zbatimit, Kurti gishtin e drejton nga Serbia.

“… unë jam i gatshëm që të publikohet draft-statuti, Serbia nuk është e interesuar për normalizim dhe ajo e ka Asociacionin për serbët e Kosovës”,

Edhe një herë ai kërkoi ndëshkimin e atyre që organizuan sulmin në Banjskë.

“Dy muaj pas sulmit Banjskë duhet të kemi hetim të hollësishëm dhe konkluzione mbi këtë akt terrorist mbi Kosovën që na cenoi të gjithë ne”.

“Duam sanksione për Serbinë dhe bëjë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të marrin masa për të gjithë këtë sulm”.

Për mediat Kurti shprehu shqetësimin për kufizimin e vizitave dhe telefonatave me katër ish drejtuesit e UÇK që tashmë po gjykohen në Hagë.
Burimi: Lapsi.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re