Kryeministri Kurti tha se ditët në vijim do të jenë sfiduese dhe problematike, sepse Kosova po përballet me “shovinizmin serb”, të cilin, siç tha ai, e njeh shumë mirë.
Kurti ka thënë se fajtorët kryesorë për atë rrëmujë janë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç.
Ai ka deklaruar në Facebook se “Strukturat ilegale” serbe, para dhënies së dokumenteve për hyrje dhe dalje në Kosovë, kanë bllokuar rrugët, gjë që, thotë ai, ishte planifikuar më herët.
“Atyre u kanë paraprirë deklarata, takime dhe tubime në Beograd dhe Rashkë. Aty janë planifikuar dhe inkurajuar këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiç dhe Petkoviç janë fajtorë për trazirat”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Agjencitë e rendit dhe të sigurisë po mbledhin informacione, po monitorojnë situatën dhe do të veprojnë në mbrojtje të ligjit dhe qytetarëve, sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Orët, ditët dhe javët e ardhshme mund të jenë sfiduese dhe problematike”, shton ai.
Kurti po ashtu thekson se janë përballë “nacional-shovinizmit serb”, të cilin ai e njeh mirë.
“Ne do të punojmë ditë e natë, do të jemi në thirrje, për ju si qytetarë dhe për republikën tonë demokratike. Dhe së bashku të arrijmë ta ruajmë rendin dhe ligjin”, ka thënë kryeministri kosovar.