Afrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet edhe gjatë kryesimit austriak me Bashkimin Evropian (BE), deklaroi sot në Sofje kancelari austriak Sebastian Kurz.

Në fillim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor i cili po mbahet sot në kryeqytetin bullgar, Kurz tha se Austria vlerëson se ekziston një perspektivë e mirë për aderimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Qëndrimi i Austrisë është i qartë, se përkrah ato shtete në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, tha Kurz.

Ai foli për kryesimin austriak me BE-në, që fillon më 1 korrik, duke thënë se gjatë atij kryesimi, qëllimi i BE-së do të jetë, përparimi në aderimin e Ballkanit Perëndimor në Union.

“Jam në veçanti optimist për Serbinë dhe Malin e Zi, por shpresoj të përparojmë te rasti i Maqedonisë me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin”, tha Kurz.

Siç tha ai, tashmë për një kohë, BE-ja ofronte shumë pak perspektivë për Ballkanin Perëndimor, por fatmirësisht tha ai, kjo politikë ka ndryshuar.

Kancelari austriak ripërsëriti vazhdimin e mbështetjes për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Irani është një vend me potencial, por kjo marrëveshje njëkohësisht është e mirë edhe për sigurinë tonë sepse mundëson që Irani të ndalë zhvillimin e armëve bërthamore. Kemi disa javë para vetes të përpiqemi ta shpëtojmë këtë marrëveshje nëse është e mundur”, tha Kurz.

Në samit, përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës marrin pjesë në Samit. Nikoqir i takimit është kryeministri bullgar Bojko Borisov, ndërsa me takimin do të kryesojë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk., shkruan aa.  Ai përfaqëson BE-në, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Po ashtu, në samit marrin pjesë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini, Eurokomisari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn si dhe përfaqësues të Bankës Botërore./.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re