Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se ligji për qeverisjen vendore e përcakton qartë se kush e drejton bashkinë në rast kur krijohet vakanca, duke iu referuar këtu rastit të bashkisë Himarë.

Balla u shpreh se në rastin e vakancës në bashkinë e Himarës, qeveria do zbatojë ligjin, ndërsa u shpreh se ekskluziviteti i vendimmarrjes i takon Këshillit Bashkiak të Himarës.

“Ligji e përcakton qartë rastet e vakancës, qoftë vakanca nga dorëheqja apo në formë tjetër. Nga ky moment brenda 48 orësh institucioni i prefektit njofton organet e tjera të qeverisjes vendore. Qeveria do zbatojë ligjin pikë për pikë”, tha Balla.

Pyetje: Ekziston vullnet nga PS që bashkinë të drejtojë përkohësisht një këshilltar i koalicionit ‘bashkë fitojmë’ dhe jo një socialist, sepse ju nuk fituat?

Balla: Unë jam ministri i Brendshëm dhe nuk më takon të bëj deklaratë politike, lidhur me vendimmarrjen e këshillit bashkiak të bashkisë Himarë. Ju e dini si veprohet kur krijohet vakanca, këshilli bashkiak komandon një kryetar për të kryer detyrën përkohësisht. Do të ishte e pavend që unë të jepja qofte edhe komente për këtë vendimmarrje që i takon këshillit të bashkisë Himare.

I pyetur se çfarë qëndrimi ka qeveria  për arrestimin e Jorgo Goros, Balla tha: “Qëndrimi ynë është i qartë, ne nuk komentojmë vendimet e drejtësisë. Drejtësia  ka mbështetjen tonë për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit dhe cdo formë tjetër të shkeljes së ligjit”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re