Një grup terrorist i ekstremit të djathtë në Finlandë komplotoi vrasjen e Sanna Marin ndërsa politikania 37-vjeçare po shërbente si kryeministre e vendit.

Katër persona janë në bankën e të akuzuarve në gjyqin që filloi në qytetin e Lahtit dhe po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Tre prej tyre përballen me akuza të lidhura me terrorizmin dhe i katërti po ndiqet penalisht për armëmbajtje.

Sipas Daily Mail, dy nga të pandehurit kishin folur hapur për mundësinë e një sulmi vrasës ndaj kryeministres së atëhershme, në një aktivitet të Partisë Socialdemokrate në të njëjtin qytet në vitin 2022. Ata kishin publikuar edhe në Telegram informacione për të. Në marrje në pyetje një nga anëtarët e skuadrës u shpreh: “Arma FGC-9 ishte pranë meje dhe në më pak se 10 minuta mund të isha në marketin e Lahtit. Unë po flisja për këtë lloj gjëje në Telegram, se teorikisht do të ishte e mundur të vritet një figurë politike”.

FGC-9 është një armë gjysmë automatike PCC (Pistol Caliber Carbine) e printueshme 3D.

Ky i pandehur konkret pretendon se biseda për një sulm terrorist ishte teorike dhe ata nuk e kishin menduar, pasi nuk e zbatuan planin e tyre.

Ai i cilësoi bisedat në të cilat mori pjesë si “biseda normale” se sa lehtë dikush mund të vriste kreun e shtetit finlandez. Për të, ishte vetëm një mënyrë për të folur për përvoja interesante ekstreme.

Policia lokale thotë se të katër burrat ishin ndjekës të lëvizjes “përshpejtimi”, një grup idesh (në ideologjitë e majta dhe të djathta) që bëjnë thirrje për intensifikimin drastik të zhvillimit kapitalist dhe ndryshimin teknologjik për të destabilizuar sistemet ekzistuese të pushtetit. Kjo ideologji është lidhur me një seri sulmesh vrastare në SHBA, duke përfshirë sulmin e vitit 2022 në Buffalo që vrau 10 civilë me ngjyrë.

Të pandehurit dyshohet se kishin prodhuar armë të printuara 3D. Në bastisjet në banesat e tyre, u gjetën lista të objektivave të mundshëm, duke përfshirë deputetë, përfaqësues të grupeve minoritare dhe aktivistë antifashistë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re