Grupi i hetimit i ngritur për ekzekutimin e Erigers Mihasit dhe Armand Dumanit, vijon kontrollin e aparateve celulare të viktimave. Dyshimet hetimore janë se dy të rinjtë janë kontaktuar për të lëvizur rreth zonës së Astirit.

Deri më tani, nga vëzhgimi i tabulateve nuk është përftuar asgjë konkrete, i tha një burim Fax News. Po ashtu një sërë kamerash sigurie janë sekuestruar dhe ka nisur vëzhgimi i tyre pranë vendit ku është djegur automjeti tip “Toyota” me të cilin lëviznin autorët.

Sekuestrimi i kamerave ka ndodhur edhe përgjatë autostradës Tiranë-Milot dhe zonave përreth. Ndërkohë, sa i përket vendit të ngjarjes, pranë “2 Rrathëve”, momentet e atentatit janë filmuar nga kamerat e një firme ndërtimi që po bën punime në rrugë, por deri në këtë fazë të hetimit, nga analizimi i pamjeve hetuesit  nuk kanë arritur të krijojnë identikitet e autorëve që dyshohet të kenë qenë 3, të cilët kanë lëvizur me shpejtësi.

Nga deklaratat e dhëna nga dhjetra persona të shoqëruar, nuk është arritur përftimi i ndonjë identikiti apo pistë konkrete, ç’ka do ishte një provë e mirë për policinë në thellimin e hetimeve. Ngjarja ka ndodhur në rrethana të papritura, ndërsa vëmendjen e ka marrë më së shumti lëvizja e çrregullt e mjeteve për shkak të breshërive nga armët e zjarrit.

Megjithatë dyshimet janë që vrasja të ketë ardhur për shkak të përplasjeve mes bandave si dhe dyshimet se njëri prej viktimave ka qenë i përfshirë në një seri ngjarjesh kriminale.

Burime i thanë Fax News se ndonëse disa persona janë në lupën e hetimeve të policisë, është ende herët për të përcaktuar nëse janë apo jo pjesë e vrasjes së dyfishtë që tronditi kryeqytetin.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re