Një 41-vjeçar afrikano-amerikan, i cili ishte dënuar me vdekje për vrasjen e dy personave në vitin 2002, u ekzekutua të enjten në Oklahoma, njoftuan autoritetet korrektuese të këtij shteti jugor amerikan.

Michael Smith u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës pak pas orës 10:00 të mëngjesit të së enjtes në një burg në qytetin McAlester.

Ky është ekzekutimi i parë në Oklahoma këtë vit dhe i katërti në SHBA.

Michael Smith u dënua me vdekje në 2003 për vrasjen e 22 shkurtit 2002 të Janet Moore dhe Sarath Babu Puluru në Oklahoma City.

Sipas aktakuzës, ai po kërkonte djalin e Janet Moore pasi besonte se ajo e kishte dorëzuar atë në polici. Djali i saj nuk ishte në shtëpi, kështu që Smith vrau Janet Moore. Më pas, ai sulmoi Sarath Babu Puluru-n, pasi foli me gazetarët për organizatën kriminale të Smith.

41-vjeçari kishte pranuar vrasjet gjatë marrjes në pyetje në polici, ndërsa ishte në kërkim edhe për një tjetër vrasje për të cilën u deklarua i pafajshëm.

Ai është personi i dymbëdhjetë që ekzekutohet në Oklahoma pasi shteti hoqi një moratorium mbi ekzekutimet në 2021 pas dy ekzekutimeve të gabuara në 2014 dhe 2015.

Në vitin 2014, një i dënuar me vdekje u shtrëngua nga dhimbja për 43 minuta para se të vdiste nga arresti kardiak. Një vit më pas, një tjetër i dënuar me vdekje, i cili përfundimisht nuk u ekzekutua, deklaroi se kur iu dha injeksioni vdekjeprurës, ai “ndjehej sikur po i vendosnin acid” dhe “trupi im ishte në zjarr”.

Gjithsej 24 ekzekutime u bënë në SHBA në vitin 2023, të gjitha me injeksion vdekjeprurës.

Dënimi me vdekje është hequr në 23 nga 50 shtetet amerikane. Gjashtë të tjerë, Arizona, Ohio, Kalifornia, Oregon, Pensilvania dhe Tenesi, kanë vendosur moratoriume.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re