Ata mund të japin përshtypjen e rebelëve malësorë, dhe në një masë të madhe të tillë janë, por Houthi-t nuk janë krejtësisht të shkëputur nga metodat online të ndikimit dhe “ndërtimit” të një imazhi pozitiv.

Për të paktën një dekadë, ata kanë një prani të fortë në rrjetet sociale, platformat e mesazheve dhe YouTube në arsenalin e tyre. Audienca e tyre është miliona njerëz në Lindjen e Mesme, të cilët mund ta gjejnë veten afër ideve të tyre dhe më shumë tani, pas pushtimit të Izraelit nga Hamas dhe operacionit ushtarak në Rripin e Gazës.

Në këtë “paketë” ndikimi nuk mund të mungonte një influencues.

19-vjeçari Rashed al-Haddad, me një prani të fortë në TikTok dhe Instagram, mund të mos jetë anëtar i tyre, siç pretendon ai, por ai transmeton drejtpërdrejt sulmet ndaj anijeve perëndimore, flet përmes videove për rebelët në një mënyrë pozitive dhe në përgjithësi kujdeset për imazhin e tyre.

Duket se Houthi-t i lexuan mirë rregullat e marketingut në internet dhe ia dhanë rolin një të riu që duket si ylli i Hollivudit, Timothee Salame. Nëse i besohet Rashedit, ai ka “shumë oferta për të marrë pjesë në sfilata dhe reklama”, por nuk e harron qëllimin e tij, që nuk është tjetër veçse ta shfrytëzojë këtë famë në favor të palestinezëve.

Materiali i Rashed është punuar me kujdes dhe mjaftueshëm mbresëlënës për t’i bërë përshtypje audiencës: muzika epike, flamuri i Jemenit, por dhe një kamë në brez.

Edhe pse mjaft luftarak për t’u ndaluar nga TikTok, Instagram dhe Facebook “për shkelje të rregullave të gjuhës së urrejtjes”, Rashed nuk heq dorë: “Tre nga llogaritë e mia në TikTok janë ndaluar, por unë kam krijuar të reja dhe për fat të mirë numri i ndjekësve po rritet,” tha ai për AFP.

“Lufta” online e Houthi-t

Pas “vitrinës” që mban emrin Rashed al-Haddad, ka pasur një prani efektive të Houthi-ve në rrjetet sociale që nga viti 2014, kur shpërtheu lufta civile në vend dhe më e fortë vitet e fundit.

Nga njëra anë është përpjekja për të përcjellë mesazhin e tyre tek publiku i Lindjes së Mesme, që është i madh dhe i etur për këtë lloj propagande, por edhe për të ndaluar disidentët dhe kritikët, qoftë edhe përmes grupeve të mbyllura.

Prodhimi mediatik i Houthi-t nuk kufizohet vetëm në propagandë, por përfshin gjithçka, nga dramat radiofonike te videot muzikore dhe programet për gratë, madje edhe poezinë, në të cilën Jemeni ka një traditë të gjatë. Pak a shumë një program për të gjitha shijet.

Videot e Rashed, sado tërheqëse mund të duken, mund të jenë vetëm një pikë në oqeanin e ekstremizmit në platforma si TikTok.

Në tre muajt që nga aksioni i Hamasit, TikTok ka hequr të paktën 1.5 milionë video dhe “ngrirë” më shumë se 46,000 video të drejtpërdrejta nga Izraeli dhe Palestina për shkelje të rregullave. Në të njëjtën kohë, dhjetëra miliona postime janë hequr dhe qindra mijëra video të dhunshme janë bllokuar.

Ata që i trafikojnë mund të besojnë se kështu fitojnë mbështetje nga shikuesit e videove pro-Hamasit ose Houthi-t. Por rruga e Rashed është e fshehtë dhe ndoshta më efektive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re