Është duke u mbajtur në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, seanca dëgjimore me drejtorin e Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga. Në fokus të kësaj seance është qëllimi i krijimit të Agjencisë, struktura dhe mënyra e funksionimit të saj.

Që në nisje të kësaj seance me pyetje përgjigje nuk kanë munguar replikat mes deputetes së opozitës Ina Zhupa, dhe drejtuesit të seancës Petro Koçi. Ky i fundit kërkoi që deputetja të bënte të gjitha pyetjet për Fugën, dhe më pas ky i fundit do ti përgjigjej.

Petro Koçi: Ka mundësi të bëhesh e sjellshme tani, edhe njëherë, nuk është në dinjitetin e këtij komisioni, që të dëgjojmë shprehje diskriminuese për të tjerë, si ajo që bëre që fjalimet e ministrave i përgatisin të tjerë.

Ina Zhupa: Mos komento pyetjet e mia

Petro Koçi: Se çfarë do të them nuk të marr leje ty.

Ndërkohë Fuga nga ana e tij është shprehur se Agjensia në fjalë është mbështetur në modelin gjerman, dhe ka një staf prej 69 personash. Sipas Fugës zëdhënësit e ministrive nuk caktohen prej tij, dhe zakonisht agjensia ndërhyn kur ka çështje që lidhen mes disa dikastereve.

Sipas Fugës, modeli gjerman ka kapacitete shumë më të mëdha se ato që janë vënë në dispozicion të Agjensisë që ai drejton.

Endri Fuga: Do të doja që në këtë 45 minutësh të parë, të kisha më shumë kohë për tu dëgjuar, sesa për tju dëgjuar. Para se të filloj me pyetjet specifike, ka një gjë që më bën përshtypje, është një gjë që ka ndodhur që nga mesi i Shtatorit, kur Këshilli i Ministrave vendosi për ngritjen e kësaj agjensie, dhe gjëja që megjithë respektin mund ta quaj absurde, problematika erdhi nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me agjensinë.

Në raportin me gazetarët ne nuk kemi pasur asnjë lloj problematike, unë mund të rendis disa gjëra që janë përmirësuar. E vetmja gjë që unë kërkoj është të kemi një komunikim sa më normal, pasi unë e konsideroj veten mikun tuaj. Në pyetjen e parë ju folët për ministër dhe propagandë. Së pari fjala propagandë, është përdorur prej 15 vitesh, nuk është një fjalë që është përdorur rishtas, dhe sërish nuk ka asnjë problem, thjesht më vjen çudi që kjo lidhet me agjensinë.

Së dyti unë jam emëruar drejtor i agjensisë, kjo është hera ime e parë që unë vij në Kuvend, nuk kam unë funksione të tjera me Kuvendin, që shkojnë përtej kësaj detyre. Është modeste qoftë nga numri i punonjësve, qoftë nga buxheti, pastaj se cilat janë arsyet se pse VKM është shkruar në një mënyrë apo tjetër, janë pyetje që nuk janë vendimmarrje e imja. Unë përgjigjem për momentin e krijimit të agjensisë dhe tutje, nuk është një shpikje shqiptare, qoftë misioni, qoftë ndarja në departamente, janë të marra nga modeli i agjensisë federale të shtypit në Gjermani.

Zëdhënësit janë zëdhënës të ministrive, janë njerëz që do të vazhdojnë të punojnë në ministri dhe të kryejnë të njëjtat funksione, janë njerëz që do të mbajnë përditë marrëdhënie me mediat, secili prej gazetarëve në momentin që ka një pyetje për një ministri të caktuar, ka të drejtën ti drejtohet zëdhënësit të asaj ministrie.

3 javë më parë i kam kërkuar çdo ministrie që të përcaktojë personin, që mban pozicionin e zëdhënësit, në mënyrë që këta njerëz të kenë mundësinë që të koordinohen në mënyrë më të mirë. Ka çështje që nuk lidhen vetëm me një ministri, siç është rasti i paketës së rezistencës, ishte e tmerrshme për gazetarët që ti drejtoheshin 10 institucioneve të ndryshme.

Ina Zhupa: Nuk ishte kjo pyetja

Endri Fuga: Ju lutem më dëgjoni më mirë, mos u merrni me telefonin, sepse e thashë, e përkthyer më thjesht, jo nuk jam unë i vetmi person që emëroj, në momentin që unë kam një përgjigje, unë bëj emërimin administrativ, por ama procedura është kjo që sapo iu thashë tani.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re