Organi i akuzës në Kosovë po heton në disa pista në lidhje me tragjedinë e kësaj mbrëmje në fshatin Gllogjan të Deçanit, atje ku dy nxënës të rinj dhe shoferi i një autobusi ndërruan jetë si pasojë e të shtënave me armë.

Prokurori i rastit tregoi se ende nuk është identifikuar personi apo personat që qëlluan në drejtim të autobusit me nxënës.

“Ka pista të ndryshme të hetimit. Për momentin s’kemi motiv të caktuar dhe s’kemi informata që të ndajmë me ju. Nuk mund të flasim as për numrin e personave të dyshuar por vetëm jemi duke punuar në drejtim të identifikimit të kryerësve të këtij krimi tragjik”, – u shpreh prokurori.

Media në Kosovë raportoi se dyshimet janë për një autor, i cili ka qenë i maskuar.

Veton Elshani, zvkomandant i policisë në rajonin e Pejës, deklaroi se dyshimet janë se ka qenë një, autori i vetëm i kësaj tragjedie.

“Dyshimet janë se sulmi është kryer nga një person i vetëm”, është shprehur ai për klankosova.

Në media e rrjetet sociale është folur dhe për akt terrorist, një ‘pistë’ që sipas Elshanit nuk qëndron.

“Nuk kemi ndonjë arsye të besojmë se kemi të bëjmë me akt terrorist apo sulm në tërësi në autobus. Ka mundësi që cak të jetë dikush specifik në atë vend. Një person i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Policia është në vendin e ngjarjes. Njësitet e krimeve të rënda janë në vendin e ngjarjes. Po hetohen të gjitha pistat. Të gjithë jemi në vendin e ngjarjes”, ka thënë Elshani.

Ndërkohë për rastin reagoi dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili shkroi:

Sonte u tronditëm nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit. Sipas Policisë së Kosovës nga ky sulm kanë mbetur të vrarë tre qytetarë të vendit tonë, prej të cilëve dy nxënës.

Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, shokëve e shoqeve, që humbën më të dashurit në këtë sulm. Të plagosurit i dëshirojmë shërim të shpejtë.

Policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re