Kabllot optike ruse në Detin Baltik u dëmtuan muajin e kaluar në një vendndodhje 28 kilometra larg vendit ku u dëmtua tubacioni i gazit që lidh Finlandën dhe Estoninë, njoftoi kompania shtetërore ruse Rostelecom.

Në njoftim thuhet se bëhet fjalë për një “rast fatkeq”, por nuk specifikohet se cili është shkaku i vërtetë i këtij incidenti, transmeton Reuters.

Kompania ruse njoftoi se kablloja e saj me fibra optike ishte dëmtuar më 7 tetor, në orën 23:30 me orën e Moskës.

“Vendi i dëmtimit të kabllit ndodhet 28 kilometra nga vendi ku u dëmtua një pjesë e gazsjellësit Baltic Connector 8”, thuhet në deklaratë.

Dy kabllo të tjera telekomunikacioni me fibra optike, që lidhin Estoninë me Finlandën dhe Suedinë, u tha gjithashtu se ishin dëmtuar më 7 dhe 8 tetor sipas kohës lokale.

Në sfondin e luftës në Ukrainë, siguria e kabllove dhe tubacioneve nëndetëse në Detin Baltik është bërë një shqetësim i madh, veçanërisht që nga sabotimi i vitit të kaluar në gazsjellësin rus Nord Stream, i cili është ende duke u hetuar nga autoritetet për të përcaktuar se kush ishte përgjegjës.

Të dhënat nga kompania e inteligjencës së transportit detar Marine Traffic tregojnë se më 7 tetor, spiranca e anijes kineze të kontejnerëve “NewNew Polar Bear” kaloi mbi kabllon e telekomit suedez-estonez në orën 15:13, dhe më pas në orën 20:20 dhe më vonë mbi kabllot optike ruse.

Policia finlandeze, e cila po heton sabotimin e gazsjellësit Nord Stream, tha se anija me flamur të Hong Kongut ishte e dyshuara kryesore për dëmtimin e kabllove me fibra optike në Detin Baltik.

Një spirancë e madhe u gjet pranë kabllove të fibrave optike të prera dhe hetuesit besojnë se kabllot me fibra optike u shkëputën ndërsa anija po tërhiqte spirancën në shtratin e detit.

Rostelecom dhe Ministria e Komunikimeve e Rusisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Reuters për koment mbi pretendimet dhe nëse Moska zyrtare po hetonte dëmtimin në kabllon e saj dhe nëse një anije kineze mund të ishte përgjegjëse.

Më 13 tetor, presidenti rus Vladimir Putin tha se pretendimet se Rusia ishte fajtore për dëmtimin e kabllove optike ishin “plehra të plota”, duke thënë se kishte indikacione se dëmi ishte shkaktuar nga spiranca e një anijeje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re