Skip to content

Kush janë aleatët e Izraelit brenda Sirisë?

drusi

Izraeli ka nisur transferimin e pajisjeve ushtarake drejt një zone strategjike në provincën e Suvejdasë, në jug të Sirisë, në kuadër të planeve për ngritjen e një baze të re ushtarake.

Sipas informacioneve të publikuara nga media siriane “Syria 360”, lëvizjet mund të lidhen me krijimin e një pike për mbikëqyrje, mbledhje informacionesh dhe zbulim ushtarak.

Raportimi, i publikuar më 17 tetor dhe i bazuar në dëshminë e një burimi anonim brenda provincës, pretendon se gjatë 72 orëve para publikimit, dhjetëra helikopterë ushtarakë izraelitë kanë transportuar në zonë armë, pajisje dhe sisteme të avancuara.

Sipas të njëjtit burim, në vendngjarje kanë mbërritur edhe personel ushtarak izraelit, pjesa më e madhe e të cilit përshkruhet si druzë izraelitë.

Ata thuhet se kanë kryer një inspektim të zonës, çka ka shtuar dyshimet se pozicioni mund të përdoret për funksione të inteligjencës dhe vëzhgimit të lëvizjeve ushtarake në rajon.

Zona ku dyshohet se po ngrihet baza është Tel al-Kulaib, një majë që ndodhet në lartësitë e Xhebel al-Arabit, në juglindje të qytetit të Suvejdasë. Pozicioni ka rëndësi për shkak të vendndodhjes dhe infrastrukturës ushtarake që ka pasur më parë.

Në të kaluarën, maja shërbente si vendndodhje e një instalimi radar të mbrojtjes ajrore të ushtrisë siriane. Sipas raportimit, fortifikimet e vjetra kanë mbetur të paprekura, duke krijuar mundësinë që pozicioni të shfrytëzohet sërish për qëllime ushtarake.

Në jug të majës ndodhet gjithashtu një pistë betoni për uljen e avionëve, me gjatësi rreth 700 metra. Kombinimi i lartësisë, instalimeve ekzistuese dhe pistës së afërt mund ta bëjë zonën të përshtatshme për vëzhgim dhe mbështetje logjistike.

Prania e personelit ushtarak izraelit, është një element që mund të ketë rëndësi në një rajon ku komuniteti druz përbën një faktor të rëndësishëm shoqëror dhe politik.  Krijimi i një baze izraelite në Suvejda mund t’i ekspozojë druzët ndaj hakmarrjeve të mundshme iraniane.

Druzët janë një komunitet fetar dhe etnik me origjinë nga Lindja e Mesme, që jeton kryesisht në Siri, Liban, Izrael dhe në Lartësitë e Golanit.

Ata ndjekin një besim monoteist të veçantë, të formuar në shekullin XI, i cili ka rrënjë historike në traditën ismailite të Islamit, por përbën sot një fe më vete dhe nuk identifikohet me islamin sunit apo shiit.

Druzët që jetojnë në Izrael kanë krijuar një aleancë historike me shtetin izraelit, e cila u konsolidua pas vitit 1948, kur udhëheqësit e komunitetit zgjodhën bashkëpunimin me autoritetet e reja izraelite.

Në vitin 1956, shërbimi ushtarak u bë i detyrueshëm për burrat druzë, ndryshe nga pjesa më e madhe e qytetarëve të tjerë arabë të Izraelit, duke i integruar ata në ushtri, polici dhe institucionet shtetërore.

Kjo marrëdhënie mbështetet edhe te interesat e ndërsjella të sigurisë dhe te lidhjet familjare e fetare mes druzëve izraelitë dhe atyre që jetojnë në Siri.

Izraeli e paraqet veten si mbrojtës të komunitetit druz në Siri, veçanërisht pas përplasjeve të përgjakshme në provincën e Suvejdas dhe ardhjes në pushtet të autoriteteve të reja në Damask.

\\