Në një akt të paprecedent të historisë së pluralizmit shqiptar, opozita e vendit dogji mandatet parlamentare.

Thirrjes së Lulzim Bashës katër ditë më parë iu përgjigjën pa kundërshtime masa e deputetëve të tij, aleatët e vegjël si dhe Monika Kryemadhi e LSI-së.

Por, mes dy grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së, 3 deputetë nuk kanë dorëzuar akoma mandetet.

Nga radhët e PD, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi nuk i kanë djegur ato.

Një nga misteret e mëdha mes deputetëve që duhet të prononcohen për djegjen e mandatit është edhe ai i Rudina Hajdarit e cila gjendet në ShBA. Megjithëse ka folur nga përtej oqeanit ajo nuk është solidarizuar automatikisht me vendimin e forumeve të PD-së, por ka thënë se verdiktin e saj do ta japë pas kthimit në Shqipëri.

E pyetur nga “Panorama” ditën e djeshme nëse do e firmosë djegien e mandatit, deputetja demokrate tha: “Nesër do vij në Shqipëri dhe shumë shpejt do të bëj publik qëndrimin tim”. 

Myslim Murrizi nga ana tjetër ka refuzuar të dorëhiqet nga mandati, por pa mbajtur një qëndrim zyrtar.

Pasi mungoi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së dje, Murrizi ka publikuar një status në Facebook kur përveçse hodhi akuza se bij ish-komunistësh janë shpërndarë në çdo cep të politikës, vetë një pjesë e saj fërkon duart deri në ditën që do të zaptojë karriget e pushtetit.

“28 vjet që flitet në emër të popullit dhe askujt nuk i bie mendja për popullin. E duan sa i marrin votën për të marrë pushtetin, pastaj i hipin në kurriz në emër të popullit. Një palë gëzojnë karriget e pushtetit, një palë tjetër fërkojnë duart se presin radhën që të zaptojnë karriget e pushtetit. 29 vjet post komunizëm që ky vend qeveriset po nga pjella e ish-komunistëve.” – shkruan mes të tjerash Murrizi.

Ishte Lefter Koka ai që doli haptazi kundër vullnetit të grupit dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, duke thënë se nuk e djeg mandatin e tij.

Ai në një status në Facebook theksoi se është zgjedhur për të përfaqësuar popullin dhe shton se LSI po tërhiqet zvarrë nga Sali Berisha, njëri që sipas Kokës, bën thirrje për të qëlluar me “plumb ballit” në shekullin e 21.

“Ky nuk është një vendim thjeshte i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nese erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI , a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.” –shkruante Koka dy ditë më parë.

Opozita e bashkuar dorëzoi sot në kryesinë e Kuvendit mandatet parlamentare. Deputetët, të shoqëruar nga mijëra protestues marshuan nga Kuvendi në këmbë, ku protesta nisi në ora 10:00 dhe ligjvënësit opozitarë mbajtën me radhë fjalën duke dhënë një mesazh: “Mandati i kalon qytetarëve!”. Pas dorëzimit të mandateve, turma u zhvendos drejt selisë së PD-së, mbi shkallët e së cilës Basha mbajti një fjalim me tone patriotike. Pasi u përbetua se Shqipëria nuk do të ishte në duart e krimit, ai paralajmëroi protesta në të gjithë vendin, këndoi himnik kombëtar dhe para se të largohej drejt zyrës së tij, bëri me duar simbolin e Shqiponjës ndaj protestuesve që brohorisnin “Rama ik! Rama ik!”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re