LEZHË- Banorët e një pallati në Lezhë, i cili është dëmtuar nga tërmeti janë rikthyer për të jetuar aty. Gazetari i Abc News, Gjergj Figuri thotë se banorët janë rikthyer të jetojnë te pallati i dëmtuar pasi iu është ndërprerë bonusi i qirasë.

Por, Bashkia e Lezhës ka një pretendim tjetër nga ai i banorëve. Sipas saj, banorët nuk e kanë lejuar firmën kontratkore të ndërhyjë për të bërë rregullimet dhe përforcimet e nevojshme, ndaj është marrë kjo masë.

“Firma rregulluese ka ndeshur sipas bashkisë në dyer të mbyllura nga familjarët dhe nuk është lejuar të ndërhyjë për të kryer ndërtimet e duhura. Banorët kanë penguar ndërhyrjen e e kompanisë dhe për këtë arsye është ndërprerë bonusi”, raportoi gazetari, referuar deklarimeve nga Bashkia e Lezhës.

Banorët thonë se po jetojnë një pallat të dëmtuar rëndë  dhe pretendojnë se iu është hequr padrejtësisht bonusi i qirasë.

“Ne vazhdojmë të jetojmë në një pallat të dëmtuar rëndë. Bonusin e  kanë hequr nga dhjetori dhe këtej nuk është marrë me. Nëse ky pallat është dëmtuar, ose të dalim përjashta dhe të vijë komisioni dhe ta shikojë, megjithëse komisioni e ka parë”, tha një prej banorëve të këtij pallati.

Të tjerë thonë se ka pasur ndërhyrje vetëm në pjesën e jashtme të fasadës, ndërsa hyrjet e tyre janë të shkatërruara.

“Shkalla jonë ka qenë për shembje, muret nga brenda janë katastrofë. Pallati është zbukuruar vetëm nga jashtë”, thanë ata.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re