Një fund të muajit Shkurt ministria e Energjisë do të hapë thirrjen për të gjithë familjet që duan të instalojnë panele fotovoltaike, për ngrohjen e ujit në banesat e tyre. Bëhet fjalë për të përfituar nga programi, ku 70% të kostos e subvencionon qeveria dhe 30% e paguajnë vet familjarët. Ani Hasa drejtor i agjencisë së eficensës së energjisë, gjatë një interviste për emisionin E-ZONE tha se përfitues do të jenë rreth 2000 familje, ndërsa po rishikohen kriteret me tendencë thjeshtimi të mundshëm të burokracive

“Ne mendojmë se nga fundi i muajit Shkurt fillimi i Marsit do të hapim thirrjen. Njësoj si dhe një vit më parë thirrja do të jetë online dhe aplikimet do të jenë po online. Mundësi do të kenë për të aplikuar të gjitha familjet. Nuk ka asnjë kriter përjashtues. Madje dhe ata abonentë që mund të jenë debitorë, por kanë përfituar nga  skemat lehtësuese të pagesë së debisë. Mjafton një vërtetim të tre muajve të fundit për pagesat e faturës dhe një certifikatë pronësie  si dhe plotësimi i një formulari vetdeklarimi“- shpjegoi Hasa  në Vizion Plus

Por si do të bëhet përzgjedhja e përfituesve?

“Kush aplikon i pari do të përzgjidhet i pari. Çdo kush do të ketë mundësinë të shikojë në kohë reale renditjen e aplikimit të tij. Skema do të jetë transparente“- tha Hasa

Ky program nisi zbatimin një vit më parë. Përfitues ishin 2000 familje. Shifra është e njëjtë edhe për këtë vit. Mendohet që ky program të shtrihet në vite. Pas sobës dhe kondicionerit, pajisja që konsumon më shumë energji në faturën mujore është bolieri. Ndaj instalimi i paneleve është një mënyrë për të reduktuar kosto mujore të faturës.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re