Ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj në një intervistë me gazetarin Çim Peka, ndër të tjera ka folur për shkarkimin e Damian e Gjiknurit si Sekretar i Përgjithshëm nga Edi Rama për arsye se ish-sekretari e mbrojti, dhe për kërcënimin që i bëri ky  i fundit kur do të shkarkohej.

“Damian Gjiknuri, një nga arsyet se pse nuk është Sekretar i Përgjithshëm është se i ka thënë Edi Ramës, që ajo që po ndodh me Ahmetaj është shkelje proceduriale nga ana e SPAK, së dyti është e gabuar. Kjo është arsye se pse ka ikur nga Sekretari i Përgjithshëm”- tha Ahmetaj.

Arben Ahmetaj: Shkarkimi im ishte i përgatitur, sepse unë e pash atmosferën rreth meje, e kjo ishte arsyeja se pse unë i kërkova të largohesha kryeministrit. Në qershor u bë kongres i PS, temat ishin rindërtimi dhe pandemia, unë isha i pari që menaxhova rindërtimin dhe i dyti që menaxhoi covidin dhe me shkak nuk u lejova të flisja.

Unë e kuptoja shumë mirë. Praktikisht me ish-miqtë e mia kam folur dua të largohem pa dëmtuar kënd, ai nuk më la të largohesha, dhe ka ardhur kërcënimi i parë në mbledhje të kryesisë, në 24 korrik është thënë që unë largohesha se kam prishur dhe dëmtuar unitetin e PS. Qesharake!

Në mbledhje të kryesisë tha, “do të shkoj në të sëmës ai që prish unitetin”, kërcënimi i parë. Kam qenë në dilemë, se unë jam impulsiv, por mendova që nuk duhet të flisja edhe për shkak të moshës.

Unë do të veja në të sëmës dhe ky do të më çonte mua. Në vazhdim, u mor vesh që unë  nuk kisha pjesë e dosjes së Elbasanit dhe Fierit dhe u sajua pjesa e mercenarit.

Pjese nga Intervista 

Ju po thoni se duke qenë se duhej bërë patjetër një kokë turku për inceneratorët, sepse zhurma, hetimi, abuzimi ishte i madh, Rama bëri sikur e besonte alibinë e Veliajt dhe Ballkukut, por nuk e besonte se është shumë më i zgjuar se kaq, por i duhej një kokë turku dhe ky kokë turku duhej të ishte dikush që është jashtë procedurës, që nuk ka lidhje me të, sepse po të jetë në procedurë shkon tek të gjithë?

Arben Ahmetaj: Po të ishte në një pjesë të procedurës, po të zbërthehet një nga nyjet e procedurës, praktikisht nuk ka më pazëll për inceneratorin e Tiranës, nuk ka më pazëll.

Dhe po ta them dhe tani. Pra çfarë ndodhi? Në shkurt të 2022 e gjithë histeria e kësaj teorie të konspiracionit duke e konturuar dhe me elementë të tjerë përplasje, praktikisht solli në atë që unë isha i bindur që marrëdhënia ime me kryeministrin kishte mbaruar. Ai mund edhe ta mohojë këtë gjë, por përpara Zotit kjo është e vërteta. I kam kërkuar të largohem në shkurt të 2022. Jam ulur përballë dhe i kam thënë, që marrëdhënia jonë është përmbysur, unë këtu nuk jam për asgjë tjetër.

Të gjithë e dinin në PS se unë nuk kam aspiruar as të bëhem sekretar i përgjithshëm, as kryetar grupi, as të kthehesha ministër, as të bëhesha kryetar bashkie. Nuk kam aspiruar. Unë i thashë jam këtu për besimin që kam pasur të marrëdhënia qe kemi pasur bashkë. Kjo marrëdhënie është përmbysur. Për të mos krijuar probleme politike me dorëheqje, më lër të largohem. Në mënyrën që ka, që nuk përballet, jo po nuk është e vërtetë.

Cila ishte arsyeja, të cilën për hir të së vërtetës e kam bashkuar si pazëll pak më vonë. Ishte 24 korrikut, të bënte atë shou për të më shkarkuar gjysëm ore pasi Ilir Meta kishte lënë presidencën dhe Bajram Begaj ishte inauguruar president. Cila ishte urgjenca?

 Urgjenca ishte se Edi Rama kishte dhënë një urdhër që asnjë ministër dhe asnjë zyrtar i lartë i PS-së të mos shoqërohej me pronarin e Neës24, Irfan Hysenbelliu. Indicia dhe argumenti sipas dy qendrave të Tiranës, ishte se ju menjëherë pas betimit të Bajram Begajt, po drekonit me Irfan Hysenbelliu. Madje Ramës i është dërguar një foto nga dreka ku ju ishit.

Arben Ahmetaj: Jo nuk është tamam kështu. Mos shkëputemi nga gjëja.

Arsyeja e Ramës, sipas tij?

Arben Ahmetaj: Qarkullon një, po quaj gjysëm thashetheme, gjysëm e vërtetë që marrëdhënia ime me Irfan Hysenbelliun, mund të ketë qenë një nga arsyet që unë jam larguar. Po të ishte kjo, do të ishte po kaq perverse dhe fëminore. Do preferoja të ngelej te perversja se sa te kjo fëminorja. Dhe arsyeja ishte simbolike për të ju treguar medemek shqiptarëve se po largoj njeriun e Ilir Metës.

Unë dhe Ilir Meta nuk kemi qenë ndonjëherë miq me njëri tjetrin. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë qenë të njëri tjetrit. Unë kam qenë i PS-së. Mund të më quash të Nanos, disa kohë të Edi Ramës, por unë kam qenë i PS-së, dhe unë nuk kam pasur ndonjëherë marrëdhënie varësie, apo vasaliteti me Ilir Metën. Jo. Asnjëherë. Ishte simbolik.

Dhe atë natë është thënë një fjali, kur është mbledhur ish-sekretari i Përgjithshëm. Meqë ra fjala, një nga arsyet që nuk është sekretar i Përgjithshëm është se i ka thënë Ed Ramës, sigurisht që Damiani edhe mund ta mohojë, punët e tij, i ka raportet me të vërtetën vetë, jo me mua, se i ka thënë që, ajo që po ndodh me Arben Ahmetaj së pari është shkelje procedurale nga ana e SPAK, së dyti është e gabuar. Kjo është arsyeja pse ka ikur nga sekretar i Përgjithshëm, por nuk dua të kërcej nga dega në degë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re