Para fillimit të vjeshtës, qytetarët në Gjermani mund të vaksinohen sërish kundër koronavirusit tek mjekët e tyre të përgjithshëm. Vaksinat do t’u dorëzohen spitaleve në javët e ardhshme dhe do të përshtaten me variantet aktuale të virusit.

Në total, duhet të dorëzohen rreth 14 milionë doza të vaksinave Pfizer-Biontech dhe do të ofrohen edhe vaksina nga kompanitë Moderna dhe Novavax, të gjitha të përshtatura me variantet e reja të virusit.

Komiteti i përhershëm i vaksinimit i Institutit “Robert Koch” rekomandon një dozë të re kundër koronavirusit për personat mbi 60 vjeç, pacientët tek të cilët infeksioni do të përkeqësonte sëmundjen parësore, familjarët e tyre dhe personat që jetojnë ose punojnë në shtëpi pleqsh si dhe personelin mjekësor.

Kur të merrni vaksinën?

Të dhënat e fundit tregojnë se numri i të infektuarve me koronavirus në Gjermani është rritur sërish, megjithëse ekspertët dhe mjekët janë ende optimistë për sezonin e ardhshëm më të ftohtë.

Epidemiologu Hajo Ceb nga Instituti Leibniz në Bremen tha se ai nuk pret shumë pacientë me një formë serioze të sëmundjes: “Një numër më i vogël i pacientëve në spitale pritet ende dhe duhet të mbetet i tillë, me kujdes dhe vaksinim”.

Nisur nga rekomandimi i Komisionit të Vaksinimit, Ceb këshillon grupet e prekura që të marrin vaksinën “më së miri së bashku me vaksinën e gripit të këtij viti”.

Ky epidemiolog thotë se gjatë dimrit do të shihet nëse do të duhet të vaksinohen edhe disa grupe të tjera.

“Viruset nuk janë zhdukur”

Janoš Damen, mjek dhe deputet i Partisë së Gjelbër dha vlerësime të ngjashme: “Një pjesë e madhe e popullsisë gjermane nuk është më në rrezik nga një sëmundje e rëndë”.

Megjithatë, Damen thekson se viruset nuk janë larguar, duke pasur parasysh numrin e të infektuarve, i cili ka rreth gjashtë javë që po rritet. “Korona u kthye shumë përpara fillimit të valës së vërtetë të sëmundjeve të frymëmarrjes gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit”, tha Damen.

Kjo është arsyeja pse ai rekomandon që të rinjtë të kërkojnë këshilla mjekësore nëse duhet të vaksinohen, veçanërisht nëse kanë kaluar më shumë se dymbëdhjetë muaj nga vaksinimi i tyre i fundit ose ata ende nuk janë vaksinuar plotësisht.

Damen pret që numri i të infektuarve të rritet ndjeshëm në javët e ardhshme, gjë që mund të rëndojë sërish sistemin e kujdesit shëndetësor, veçanërisht nëse më shumë punonjës mungojnë përkohësisht për shkak të sëmundjes, shkruan Deutsche Welle. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re