Skip to content

“Kush shkon te takimet e Salianjit s’ka punë me PD-në”/ Fituesi i primareve të Tiranës replikon me Berishën: Doktor, ja pse nuk më përjashton dot

Hysen Kadiu Sali Berisha1

Ish-kreu i degës së PD-së në Kavajë, Hysen Kadiu i është përgjigjur kryedemokratit Sali Berisha pas deklaratës së këtij të fundit se kushdo që i bashkohet Ervin Salianjit është i përjashtuar nga Partia Demokratike.

Në postimin e tij, Kadiu shkruan: “Nuk më ka futur Salianji në PD, o doktor… dhe nuk më përjashton dot as ti”!

Ndërkohë, më herët, me Berishën replikoi edhe ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji. Salianji u shpreh se deklarata e Berishës është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë.

Ai shtoi gjithashtu se PD nuk është pronë private.

“Uzurpatori ka shqetësim cilindo që e do Partinë Demokratike fituese, për uzurpatorin ata janë problemi, e shqetësojnë në rehatinë e tij të bashkëqeverisjes me Ramën. Problemi sot është është mentaliteti që kërkon bindje të verbër, përjashtim dhe frikë në vend të garës, debatit dhe meritës.

Deklarata e Sali Berishës se “kushdo që bashkëpunon me Salianjin s’ka punë me PD” është dëshmia e qartë se problemi i Partisë Demokratike nuk është mungesa e mbështetjes, por mungesa e demokracisë. Për mbeshtetje nuk pati guxim te përballeshim në garë!

Një parti politike nuk mund të funksionojë si pronë personale e askujt. Në një parti demokratike nuk përjashtohen njerëzit sepse mendojnë ndryshe, nuk shpallen armiq ata që bashkëpunojnë me kolegët e tyre dhe nuk vendoset besnikëria ndaj individit mbi interesin e partisë.

Demokratët nuk kanë nevojë për lista armiqsh, por për një projekt fitues që bashkon dhe jo përçan.

PD nuk do të bëhet shumicë duke përjashtuar demokratët. PD bëhet shumicë duke i bashkuar ata. Kjo është beteja dhe ne nuk do ti shmangemi deri në fund!”, u shpreh Salianji.

Deklarata e Berishës
Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi sot për herë të parë lidhur me takimin që Ervin Salianji zhvilloi dje në Tiranës me demokratët. Berisha tha se aty nuk kishte demokratë, por pjesëmarrësit sipas tij janë larguar prej kohësh nga PD.

“Asnjë demokrat nuk ishte aty. T’u themi të vërtetën. Ata që ishin dhe ata që dolën janë prej kohësh të ndarë nga PD, ose nuk kanë qenë kurrë në PD. Asnjë demokrat nuk ishte në mënyrë absolute që ndjek PD-në“,- tha Berisha.

“Cilido që ndjek Salianjin i mbyll hesapet me PD-në. Nuk janë kritika ato. Ata kanë veprime konkrete kundër Partisë Demokratike”, shtoi ai.