Viti 2020. Nikolet Somers, 30 vjeçe, u diagnostifikua me një problem të zemrës. Tre muaj më parë Nikoleta kishte sjellë në jetë të birin, Beket.

Mjekët besuan se do të mund ta kuronin zemrën e 30 vjeçares, por me kalimin e kohës, dukej se e vetmja zgjidhje që ajo të mund të jetonte, do të ishte një transplant.

Nikoletës iu tha se do të duhej të priste të paktën deri në 11 muaj… por ajo e kishte kuptuar se zemra e saj nuk do të zgjaste aq shumë.

“Në atë kohë nuk i thashë asnjërit, as tim shoqi madje… por e dija, e ndjeja, se unë nuk kisha edhe 11 muaj jetë… nuk mendoja se do të isha gjallë për vitin tjetër”-kujton gruaja.

Por mrekullisht, shpëtimi i saj erdhi 9 ditë më pas. Mjekët e telefonuan për t’i thënë se ishte gjetur një donator dhe se do duhej të vinte për t’ju nënshtruar transplantit.

Për një muaj gruaja qëndroi në spital, pa e parë foshnjen. Natën e ndërrimit të viteve e kaloi e hospitalizuar.

Por kësaj here fatmirësisht, 31 vjeçarja do të festojë me të birin 1 vjeçar, vetëm falë një dhurimi. E reja nuk e njeh familjen që dhuroi zemrën, por shpreson se një ditë do t’i takojë. Pikërisht për t’i falenderuar, ajo shkroi këtë letër të hapur, me shpresën se do të mundet të takojë ata që i shpëtuan jetën asaj dhe i dhanë mundësinë të rrisë të birin.

“Donatorit, kushdo qoftë, doja thjesht të dinit ju e familja juaj sesa do ju jem përjetë mirënjohëse. Për shkak të gjestit tuaj, ju më dhatë dhuratën më të madhe që mund të jepet, ju më falët jetën. Për shkakun tuaj, unë sot jam nënë dhe përherë do t’i them atij sesi një i panjohur i shpëtoi jetën nënës së tij. Mendoj çdo ditë për ju e shpresoj t’ju bëj krenarë.

Me këtë shans të dytë në jetë, do të bëj çmos që të inkurajoj e ndërgjegjësoj për rëndësinë e dhurimit të organeve.

Me zemrën time të re, qëllimi im është që t’i jap një jetë të shkëlqyer tim biri dhe të ndihmoj të tjerët. Faleminderit për të dhuratë të bukur”

Nicolette Somers /SWNS

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re