Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se nuk mund të krahasohet Jamarbër Malltezi me bashkëshortin e ish-ministres Olta Xhaçka, në konferencën për media.

Berisha u shpreh se dhëndri i tij ka marrë tokën e vet që ia kishte konfiskuar regjimi komunist, ndërsa Artan Gaçi, sipas ish-kryeministrit, ka marrë mijëra metra tokë publike dhuratë nga bashkëshortja e tij ministre.

“Ti krahason Artan Gaçin që ka marrë si investitor strategjik qindra mijëra metra tokë publike dhuratë nga ministrja strategjike, me Begejt dhe Malltezin që mori tokën e vet mbas 15 vitesh të konfiskuar nga regjimi komunist. Nuk mund të ketë krahasim. Mbështes çdo veprim të organeve ligjzbatuese, çdo zbatim ligji, por të ndershëm”, tha Berisha.

Në lidhje me pyetjen se çfarë ndodh nëse të gjithë e interpretojnë ligjin sipas mënyrës së tyre, Berisha u shpreh si vijon:

“Kushtetuta është e kthjellët si kristali. Nuk lejon kufizimin e lirisë së deputetit në asnjë lloj forme pa aprovimin e parlamentit. Neni i kodit penal është në favor të kufizimit, por duhet të pasurohet në Kushtetutë. Po s’u pasurua në Kushtetutë, merr fund hierarkia e ligjit”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re