Dhënia e “dritës jeshile” që Gjykata Kushtetuese i dha marrëveshjes së Rama-Meloni për emigrantet ka marrë vëmendjen edhe të mediave britanike, të cilat e krahasojnë marrëveshjen e Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën.

Express e quan këtë marrëveshje të diskutueshme, njësoj si ajo e qeverisë britanike.

“Një gjykatë në  Shqipëri  ka vendosur që një marrëveshje migracioni me Italinë, e ngjashme me marrëveshjen e diskutueshme mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës, mund të vazhdojë”, shkruan gazeta britanike.

Marrëveshja, e nënshkruar në nëntor midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministrit italian Giorgia Meloni, lejon transferimin e mijëra emigrantëve të shpëtuar në det nga autoritetet italiane në Shqipëri gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.

“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zacaj, pohoi përputhshmërinë e marrëveshjes me kushtetutën, duke hapur rrugën për miratimin parlamentar. Megjithë kundërshtimin e 30 deputetëve shqiptarë që kërkuan të bllokonin ratifikimin, marrëveshja tani është vendosur të debatohet dhe votohet në Parlament.

Duke mbajtur 74 nga 140 vendet në Parlament, Partia Socialiste e majtë e Ramës pritet të sigurojë miratimin për marrëveshjen. Megjithatë, nuk është caktuar një datë specifike për debatin dhe votimin parlamentar”, shkruan Express.

Marrëveshja, e miratuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por e kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut, është pjesë e strategjisë më të gjerë të Melonit për të shpërndarë përgjegjësinë për trajtimin e migracionit midis vendeve evropiane, thuhet më tej në shkrim.

“Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit paralajmëroi se marrëveshja mund t’i detyrojë emigrantët në rrugë më të rrezikshme në kërkim të sigurisë, të ngjashme me shqetësimet e ngritura në lidhje me traktatin MB- Ruanda”.

“Pavarësisht kritikave, dhoma e ulët e parlamentit italian ka miratuar tashmë marrëveshjen, e cila do të pasohet nga vendimi i Senatit, ku forcat e krahut të djathtë të Melonit kanë një shumicë komode”, mbyll shkrimin gazeta e njohur britanike.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re