Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi konceptin e herësit si model për listën e hapur të kandidatëve për deputet, por ka kërkuar që ky prag të jetë më i ulët.

 

Vendimi i zbardhur i gjyqtarëve sqaron se shqetësimi i Gjykatës Kushtetuese ka lidhje me garantimin e të drejtës për t’u zgjedhur.

 

“Bazuar në vendimet paraprake të KQZ-së për shpërndarjen e mandateve, konstatohet se veçanërisht në qarqet me numër të vogël mandatesh, kandidatët e subjekteve zgjedhore kanë marrë deri në 3 herë vota më pak se vlera e përcaktuar e herësit, për atë zonë zgjedhore dhe atë subjekt zgjedhor, pra është një vlerë dukshëm më e ulët se vlera e herësit. Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur.”

 

Por, nga ana tjetër, herësin si mekanizëm Gjykata Kushtetuese e lë në fuqi, duke e vlerësuar pozitivisht.

 

“Herësi shërben për të pasur stabilitet në të gjitha zonat zgjedhore, mundësi për demokratizimin e partive politike, stabilizim të jetës politike gjatë shpërndarjes së mandateve, pa lënë mënjanë respektimin e parimit të barazisë gjinore. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se ligjvënësi, në parashikimin e masës së herësit, si mekanizëm për shpërndarjen e mandateve, ka justifikuar interesin publik.”

 

Ky vendim nuk ka fuqi prapavepruese, por detyron mazhorancën dhe opozitën që të ndërhyjnë në Kodin Zgjedhor për të rregulluar herësin në proporcion me numrin e zgjedhësve të qarkut.

 

Në 25 prilli, që një kandidat të thyente herësin e të bëhej deputet pavarësisht renditjes në listë duhet te merrte 10 mijë vota si në Kukës ashtu edhe në Tiranë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re