Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me vendin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e studentëve të mjekësisë, për të shfuqizuar disa nene në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të kësaj fushe, si të papajtueshme me Kushtetutën.

Sipas Tabakut, kjo jo vetëm që është një fitore e atyre studentëve, por edhe një dëshmi se politika mund t’i shërbejë qytetarëve.

Po ashtu Tabaku thotë se kjo është edhe një provë e fortë se si opozita është në shërbimin e qytetarëve jo vetëm duke denoncuar por edhe duke punuar për to.

“Një grup studentësh patën vizionin, vendosmërinë dhe besimin për ta çuar betejën e tyre në institucione. Patën besimin se së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike do të mund të zhbënin nismën antikushtetuese të ndërmarrë nga qeveria.

Sot, padia e dorëzuar në GJK nga palët dëshmoi vërtetësinë dhe sinqeritetin e kauzës. Dëshmoi se institucionet janë një shans për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Shfuqizimi i detyrimit për studentët e mjekësisë të qëndrojnë në Shqipëri për 5 vite pas përfundimit të shkollës është fitorja e studentëve.

Por, njëkohësisht dhe një dëshmi se si politika mund t’i shërbejë qytetarëve. Një provë e fortë se si opozita është në shërbimin e qytetarëve jo vetëm duke denoncuar por edhe duke punuar për to.

E gjitha kjo mund të arrihet përmes institucioneve, forcës së argumentit dhe vërtetësisë së bindjeve se bashkë mund t’ia dalim”, shkruan Jorida Tabaku.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re