Gjykata Kushtuese ka rrëzuar kërkesën e përfaqësueses së qeverisë Edlira Kokona lidhur me pezullimin e çështjes së zgjedhjeve lokale të 2019-tës, pasi nuk u janë vënë në dispozicion dokumentet e nevojshme për ndryshimet që janë bërë në statutin që kanë Shoqatat e Bashkisë.

Gjykata i ka dhënë vetëm një orë kohë përfaqësues së qeverisë që të marrë në dispozicion dhe të shqyrtojë dokumentet në lidhje me statutin e shoqatave të bashkive të vendit, duke konfirmuar kështu në krye të shoqatës Voltana Ademin, pavarësisht pretendimeve të Pjerin Ndreut.

Në një dalje nga gjykata kushtetuese, avokati i Voltana Ademit, Jordan Daci tha se palët tashmë kanë vetëm 1 orë kohë që të njihen me provat, ndërsa shtoi se Kushtetuesja njeh si kryetare të shoqatës së Bashkive Voltana Ademit.

“Të gjitha kërkesat e qeverisë dhe shoqatës së bashkive u rrëzuan, seanca pritet që të nisë pas një ore”, u shpreh Daci.

Pjerin Ndreut iu rrëzua kërkesa për regjistrimin si kreu i shoqatës së Bashkive disa ditë më parë, pasi dosja që ai çoi në gjykatë kishte të meta dhe duhej plotësuar.

Pritet që gjatë ditës së sotme të ketë vetëm seancë të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjeve lokale të mbajtura në 30 qershor të vitit 2019, për të cilat është ngritur një padi nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila ka qenë njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatave të Bashkive duke depozituar kërkesën në emër të këtij organi.

Ndërsa me shumë mundësi, nuk do të ketë një vendim të marrë ditën e sotme, pasi gjykimi i çështjes mendohet të zgjasë duke qenë se palët kanë parashtruar kërkesat e tyre të cilat mbetet për t’u parë nëse do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re