Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në orën 10:00 në seancën e dytë për këtë sesion, ndërsa në rend dite është një pikë e rëndësishme, ajo për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar që do të përzgjedhë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Janë dymbëdhjetë vende vakante që pritet të plotësohen në KQZ. Përzgjedhjen do ta bëjnë deputetët, por në këtë komision siç është rëndë dakord mes mazhorancës dhe opozitës së Bashkuar do të ketë edhe përfaqësues të opozitës së Bashkuar, raporton “News 24”.

Kujtojmë se KQZ merr një organigramë krejt tjetër nga KQZ-ja e deritanishme. Ka një kryekomisioner, një zv. kryekomisionier me detyrë implementimin e teknologjisë në zgjedhje, ka një Komision Rregullator me pesë anëtarë që do merret me procesin e organizimit, një Komision për Ankesat dhe Sanksionet edhe ky me pesë anëtarë që do vlerësojnë nëse ka pasur apo jo shkelje të Kodit Zgjedhor në votime.

Deri më tani kanë aplikuar 25 persona për dymbëdhjetë vendet vakante në KQZ, ndërsa afati i fundit për të aplikuar është 18 shtatori.

Mazhoranca dhe opozita janë të ndara në qëndrimet e tyre, gjë e cila ka sjellë ngecjen e mbledhjeve të Këshillit Politik. Opozita e Bashkuar kërkon përfshirjen e ekspertizës së ndërkombëtare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Sipas tyre në këtë fazë të diskutimeve mbi hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, si dhe çështjes së koalicioneve parazgjedhore, rëndësi është marrja e opinionit të ODIHR.

Ndërsa mazhoranca e cilëson këtë tentativë për të zvarritur procesin e reformës së dytë zgjedhore.

Në një reagim të ODIHR në Varshavë për “News 24” një ditë më parë u tha se ishin të gatshëm të asistonin, ndërsa prisnin detaje të zhvillimeve në Këshillin Politik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re