Ashtu siç pritej, ish-kreu i PD-së, Eduard Selami u tregua shumë kritik me kryetarin Basha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar demokrat. Ish së fundi dhe deputet, e më pas rival me Bashën për kreun e partisë, Selami sulmoi ashpër statutin e ri, u ku gjatë fjalës u shoqërua dhe nga fishkëllima kundërshtuese.

“Ky statut nuk është statuti i bashkimi, por i përjashtimit. Është fyerje për mua si demokrat, që në dy nene, 27 dhe 45 përmendet fjala përjashtim disa herë. Në prill të 2016, shkarkoi 22 kryetar degësh pa asnjë sqarim. Ishte shkelje flagrante e statutit. Tani nuk quhet më shkelje statuti. E ka me statut, i shkarkon kur të dojë”, tha Selami.

Ky i fundit akuzoi Bashën edhe për mosanalizë të humbjeve prej tij, përsa kohë është në krye të PD-së.

“Dalim tek debati për dorëheqjen e kryetarin. Humbëm në ‘13-ën, nuk u bë analizë, humbëm në ‘15-ën, nuk u bë analizë, humbëm në ‘17-ën, nuk u bë analizë”, theksoi Selami, i cili gjithashtu përmendi “vjedhje votash” brenda anëtarësisë gjatë përballjes me Bashën.

“Si mund të jemi partia e lirisë dhe demokracisë kur vidhen votat brenda nesh? Nuk ka qëndrim. A doni ta bëni këtë si në ’95-n? Bëjeni. Unë jam këtu për të thënë se kjo nuk është rruga jo vetëm për Partinë Demokratike, por as për Shqipërinë dhe as për shqiptarët”, deklaroi Eduart Selami. /tesheshi.com./

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re