Kuvendi i Shqipërisë do të dorëzojë sot në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e presidentit Meta, i cili u mor të mërkurën e kaluar.

Kuvendi votoi shkarkimin e Metës me 104 vota pro, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese brenda 15 ditësh do të duhet të caktojë seancën e parë për këtë çështje, dhe brenda tre muajsh duhet të japë një përgjigje finale.

Procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta filluan fill pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 Prillit nga ana e socialistëve, më datë 3 maj.

Pretendimet e mazhorancës për shkarkimin lidheshin me deklaratat e presidentit gjatë fushatës elektorale, ku sipas të majtëve u cilësuan si shkelje të rënda të Kushtetutës pasi nxisnin dhunën kundër rendit demokratik.

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta u krijua në kohë rekord. Pa u certifikuar ende rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, socialistët nisën dhe përfunduan në kohë rekord procesin parlamentar që i paraprin shkarkimit të presidentit.

Në tetë ditë që prej datës 3 Maj, Kuvendi mori me shpejtësi një sërë veprimesh parlamentare, për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta:

1- U bë kërkesa për shkarkimin e presidentit nga 49 deputetë,

2- Kërkesa u fut në rendin e ditës nga konferenca e kryetarëve,

3- Komisioni i Ligjeve shqyrtoi kërkesën, hartoi një raport dhe votoi pro ngritjes së një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit,
4-Kuvendi votoi pro ngritjes së komisionit hetimor,

5- U mbajt mbledhja e parë e komisionit hetimor.

Puna e Komisionit Hetimor zgjati rreth një muaj dhe me shumicë votash u vendos pro shkarkimit të Presidentit, shkarkim ky i cili u finalizua ditën e sotme me votimin në parlament.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re