Ish-prokurori Besnik Muçi në lidhje me diskutimet për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, është shprehur se Kuvendo do të votojë thjesht procedurën, jo përmbajtjen.

I ftuar në studion e emisionit ‘Open’ në News24, Muçi tha se papajtueshmërinë e mandatit e konstaton Gjykata Kushtetuese dhe jo Parlamenti.

“Është një akt formal. Kushtetuta është shumë e qartë. Papajtueshmërinë e mandatit e konstaton Gjykata Kushtetuese dhe jo Parlamenti. Parlamenti është i detyruar ta përcjellë mocionin Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi mund të mblidhet me një vendim formal. Do të votohet procedura dhe jo përmbajtja”, tha ai.

Kujtojmë se socialistët e lanë të paqartë qëndrimin e tyre lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për shqyrtimin nga kjo gjykatë të papajtueshmërisë ose jo të mandatit të deputetes së shumicës, ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Pavarësisht këmbënguljes së përfaqësuesve të opozitës që parlamentit t’i rekomandohej dërgimi i çështjes në Gjykatë, ata ranë dakord vetëm që rasti të kalojë në seancë dhe të ishin deputetët që më pas të shpreheshin me votën e tyre.

Pikëpyetjet mbi mandatin e Xhaçka lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re