Kuvendi publikon njoftimin për hapjen e procedurës së aplikimit për vendet vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pozicionet Komisioner Shtetëror të Zgjedhjeve; Nënkomisioner Shtetëror të Zgjedhjeve; Pesë anëtarë të Komisionit Rregullator dhe pesë anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Ja procedurat për aplikimin dhe kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët.

SHPALLJE PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË APLIKIMIT PËR VENDE VAKANTE NË KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE

29 Gusht 2020

Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 13,14,15,16, 181 dhe 183 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar , si dhe në nenin 111 të Regullores së Kuvendit, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendet vakante për:

– Komisioner Shtetëror të Zgjedhjeve
– Nënkomisioner Shtetëror të Zgjedhjeve
– 5 anëtarë të Komisionit Rregullator
– 5 anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve

 Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të-ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.
Përzgjedhja e Komisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

 Nënkomisioner Shtetëror i Zgjedhjeve mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të-ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Përzgjedhja e Nënkomisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

 Anëtar i Komisionit Rregullator mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të-ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.
Përzgjedhja e anëtarit të Komisionit Rregullator bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në hartimin, shqyrtimin ose oponencën e legjislacionit, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

 Anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-gjyqtarëve, ish-këshilltarëve në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, ish-anëtarëve të KQZ-së, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues ose të juristëve në profesion të lirë, me përvojë në gjykime administrative.
Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
– Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;
– Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenet 13,14,15,16 të ligjit nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;
– Formularin e aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, të plotësuar në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

Cdo individ i interesuar mund te aplikoje edhe per me shume se nje nga pozicionet e mesiperme ne rast se i plotesojne kriteret e percaktuara
Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 18 shtator 2020 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:
Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re