Kuvendi i 18 Dhjetorit: Gaz Bardhi: Të ftuar të gjithë, edhe Berisha

1637269167_bardhi-1.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

‘Sulme sulme sulme dhe baltosje ndaj lidershipit të partisë’ , kështu e konsideron lëvizjen e Berishës numri 2 i partisë Demoratike, në optikën e të cilit ish kreu i PD po shfokuson vëmendjen nga beteja e vërtetë opozitare.

E teksa demokratët ndodhen përballë 2 datave për Kuvendin Kombëtar 11 dhe 18 dhjetor, sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi i bën sërish një ftesë mbështetësve të Sali Berishës dhe ish liderit të PD:

Përballë 4200 firmave të deklaruara nga Sali Berisha, Bardhi është shprehur i bindur se lidershipi blu ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të bazës.

Në një intervistë për Report Tv Bardhi sqaron edhe paralajmërimin e fortë të bërë ditët e fundit se kush thyen rregullat e partisë, përjashtohet. Bardhi sqaron edhe përse PD refuzon të japë informacione në komisionet hetimore parlamentare për strukturën e mbrojtjes së votës, të ngritur para zgjedhjeve nga kjo parti.

Përpos debatit të brendshëm ku po përqënrohet energjia kryesore e demokratëve, Gazment Bardhi thotë se strukturat duhet të mobilizohen edhe për garën e ardhshme përballë Edi Ramës, në cfarëdolloj kohe qoftë ajo.

-Zoti Bardhi, do ta nisja nga fakti mbase më i çuditshëm në të cilin gjendet PD: Një parti, dy kuvende! A i ka ezauruar PD zyrtare të gjitha ftesat për mbështetësit e Berishës dhe ata që kanë inicuar 11 dhjetorin për tju bashkuar kuvendit të 18 Dhjetorit? A mbetet e hapur ftesa, apo do të pranoni vetëm ata që ju mbështesin? 
Së pari unë nuk do ta ndaja në mënyrën sesi  e ndatë ju, PD ka vetëm një Kuvend Kombëtar që do të nmbahet në datën 18 dhjetor. Ka një vendim ë kryesisë që ka përcaktuar jo vetëm datën dhe vendin, por edhe rendin e ditës. Dua ta përsëris që në mbledhjen e kryesisë ka patur disa prej kolegëve që kanë përsëritur qëndrime kundër, i kam ftuar që të propozojnë cështje në rendin e ditës, dhe sigurisht në kuvend do të marrin pjesë të gjithë anëtarët e Kuvvendit Kombëtar, nuk i ndaj në mbështetës të askujt, cdo anëtar është i ftuar të jetë pjesë e kuvendit të datës 18.

 -Ka patur artikulime për ‘zbatim të statutit’ për të gjithë ata që thyejnë vendimet e organeve të PD, referuar edhe nenit 27 të Statutit ku flitet për ndëshkim dhe deri në përjashtim. A është kjo një formë presioni për të gjthë ata që duan të bëhen pjesë e Kuvendit të 11 Dhjetorit?
Së pari nuk ka kuvend, cilido që dëshiron të organizojë një formë tubimi mund ta bëjë atë, unë e kam thënë edhe më parë, cdo deputet, apo antar i partisë ka mundësi të thërrasë mbështetës të tij në një organizim, por ai nukj është kuvend kombëtar, ndërsa ajo që ka theksuar në mbledhjen e saj kryesia ka të bëjë me cështje që dëmtojnë interesin elektoral dhe politik të partisë demokratike. Ne jemi parti e fjalës së lirë, por në momentin që një individ, qoftë ky edhe Sali Berisha ndërmerr veprime që dëmton interesin elektoral të PD, statuti i partisë, kushtetuta e partisë ka përcaktuar rregulla sesi duhet të veprohet në raste të tilla. Unë nuk mund të flas dhe nuk dua të flas dhe shpresoj të mos flas për përjashtime, ne kemi nevojë për bashkim dhe Kuvendi i datës 18 është kuvendi i bashkimit të demokratëve, gjithsecili aty është i lirë të japë mendimin e tij, cilido tjetër që ka patur dhe i ka fryrë synimit të tij për të përçarë partinë Demokratike, është duke punuar kundër interesit të partisë dhe demokratëve.

-Po flitet në fakt edhe me gjuhën e shifrave përsa i përket delegatëve të PD. Berisha deklaron se ka 4200 firma e së shpejti do të shkojë deri në 5000. Po PD a ka kalkulime sesa është numri  idelegatëve që do i bashkohen 18 dhjetorit?
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka 7646 anëtarë me mandat të përhershëm, lista është dinamike dhe mandatet prodhohen nga sekretariati i partisë, kam bindjen e thellë dhe sipas raportimeve që na kanë ardhur nga secila degë do të marrin pjesë shumica dërrmuese e anëtarëve, pastaj për shifra apo për numra dhe firma që mbahen në kasafortë edhe nuk i vihen në dispozicion strukturave të partisë, nuk preferoj të komentoj. Cilido prej nesh mund të dalë në mëngjes dhe të thotë kam 4200 firma, në darkë 5000 pastaaj të nesërmen të thotë kam 6000 dhe mos u habisni nëse deri në datën 11 të thonë kemi mbledhur 8000, por kjo nuk e bën proces dhe lëvizje serioze, madje është një fyerje për të gjithë ata që kanë besuar në lëvizjen e zotit Berisha. Nëse ata kanë besuar dhe kanë kërkuan në rrugë zyrtare thirrjen e Kuvendit, nënshtrimet e tyre, thirrjet e tyre, apeli i tyre, mendimi i tyre nuk mund të mbyllet në kasafortë, por do të duht të ishte ndjekur rruga statutore për thirrjen e Kuvendit Kombëtar kur  kërkuan këto anëtarë, cilido të ishte numri i tyre.

Prandaj e thirrëm Kuvendin Kombëtar, duke rrespektuar  kërkesën e tyre, cilido të jetë numri i tyre.

-Duke patur parasysh që Kuvendi i 18 Dhjetorit vjen si një Kuvend i Jashtëzakonshëm, pra jo si mbledhja e radhës, cfarë do të ketë ndryshe nga Kuvendi  i shkuar i 17 korrikut ku nuk pamë asgjë tjetër vec fjalimeve rutinë që nuk i dhanë përgjigje shumë prej pikëpyetjeve të ngritura për analizën e humbjes së zgjedhjeve?
Në 18 dhjetor ne do të mblidhemi në Kuvendin Kombëtar së pari për të diskutuar situatën e brendshme në të cilën ndodhemi, së dyti për të prezantuar Platformën Qytetare për Demokraci, dhe për të miratuar kalendarin organizativ. Partia, struktura do të duhet të jetë e gatshme për betejën e ardhshme elektorale. Ky është synimi i partisë Demokratike përballja  me regjimin e Edi Ramës, ndërsa një pakicë e caktuar ka shpallur si synim sulmin e luftën e brendshme kundër lidershipit të partisë. Kjo nuk i ndihmon demokratët, kjo ndihmon vetëm Edi Ramën, beteja e çdo demokrati është me Ramën, jo me njëri tjetrin.

-Ju personalisht zoti Bardhi keni refuzuar që të flisni për përçarje, porpërplasje idesh ka. Një tjetër përplasje deklaratash ishte edhe celja e garës në Forumin rinor dhe të Gruas. A ishte e nevojshme kj ogarë në këto momente, kur duhet thënë se PD ka pezull edhe zgjedhjet në strukturat lokale, ristrukturimin e degëve?
Së pari ne kemi analizuar të gjithë bashkë, përfshirë dhe Berishën shkaqet që kanë çuar në humbjen e Partisë Demokratike. Nga njëra anë të pranosh masakrën e 25 prillit dhe nga ana tjetër të heqësh gishtin e drejtuar ndaj Edi Ramës dhe ta drejtosh te Lulzim Basha do të thotë që nuk i shërben interesit të demokratëve. Janë rreth 650 mijë shqiptarë të cilët edhe pse në kushte presioni  i kanë besuar PD dhe ekipit të Lulzim Bashës. Ne kemi përgjegjësi për secilin prej tyre  për të bërë realitet ndryshimin e kërkuar. Unë do preferoja të mos flisja për humbje sepse nëse do të ketë humbje, përgjegjësia do të jetë e të gjithëve bashkë, nuk mund të jetë meritë e të gjithëve bashkë kur fitojmë dhe përgjegjësi e një individi apo e një grupi në humbje, përgjegjësia është e të gjithëve nëse do të humbim. Por të gjithë, përfshirë edhe zotin Berisha kemi arritur në përfundimin se Edi Rama përdhunshëm ndaloi ndryshimin dhe kreu masakër elektorale. Pas 10 shtatorit nuk flasin më për masakrën zgjedhore të kryer na Edi Rama po flasin për përgjegjësinë  e Lulzim Bashës. Kjo pastaj nxjerr zbuluar synimin që ka patur lëvizja e zotit Berisha që është dëmtimi i kryetarit të PD, dëmtimi i demokratëve.

Duhet të bëjmë një dallim mes strukturës drejtuese të partisë dhe organizatave partnere. Ju keni parë që strukturat qëndrore janë rinvuar pas zgjedhjeve, ndërkohë që strukturat lokale janë brenda afatit dhe kjo nuk ka diskutuar nevojën për të nisur një fazë ripërtëritje të këtyre strukturave. Sigurisht që në Kuvendin e PD më 18 dhjetor do diskutojmë edhe për këtë nevojë. Ndërkohë që përsa i përket strukturave parnere, kemi tejkalim të mandatit jo vetëm me disa vite, por në rastin e Lidhjes Demokratike të Gruas kemi strukturë në nivelin vendor, por nuk kemi asnjë strukturë funksionale në nivel qendror, përvec kryetares e cila është me mandat të përfunduar prej shumë vitesh, është emëruar dhe jo zgjedhur  dhe është 8 vite jashtë mandatit, ska as sekretare, as kryesi, as nënkryetare. Kjo solli që të hapnim garën në LDG dhe FRPD dhe procesi ka vetëm një qëllim: Bërien funksionale të dyja organizatat partnere. Është ndjekur i njëjti proces si më parë. Lulzim Basha ka treguar që nuk ka ndërhyrë asnjëherë në proceset e brendshme të organizatave parnere , por është përgjegjësi e tij për të hapur garën.

-Zoti Bardhi debati brenda PD ka tërhequr shumë vëmendjen eopinionit publik. Por, a po e zhvendos debati i brendshëm vëmendjen nga aksioni i vërtetë i opozitës, Keni deklaruar amendime shtesë në ligjinantimafia dhe përpara kemi ngritjen e komisionit për një reformë të re zgjedhore.
Për fat të keq nga lëvizja e zotit Berisha është shfokusuar vëmendja e opinionit publik dhe veprimtarisë politike të PD në raport me të bërit opozitë dhe oponencë ndaj regjimit të Edi Ramës. Ne kemi vijuar prej fillimit të legjislaturës punën tonë si opozitë duke paraqitur në Kuvend cështje që janë në interes të qytetarëve, ndërkohë që një pjesë e vogël e partisë e ka përqëndruar gjithë aksioni n e vet politik sulme sulme sulme dhe baltosje ndaj lidershipit të partisë. Dhe kjo ka sjellë një shfokusim të vëmendjes së demokratëve në atë mision që ne kemi, përballjen me Edi Ramën.

-Zoti Bardhi, pse Partia Demokratike nuk flet për Strukturën e Mbrojtjes së votës? Ju keni refuzuar të vini të dhënat në dispoziocion të komisionit hetimor për 25 prillin duke thënë se nuk do ia vini nëdispozicion patronazhistëve të Edi Ramës.

Ne kemi folur për strukturën e mbrojtjes së votës, ashtu sic kemi folur për të gjithë strukturën e Partisë Demokratike të fushatës. Unë e kam thënë edhe më parë. Gjatë fushatës zgjedhore, një parti politike, vecanërisht në opozitë ka disa struktura të saj, përfshirë edhe strukturën e mbrotjes ë votës, kjo është një praktikë e njohur në të gjithë botën, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit për presidentin e SHBA. Ajo që na është kërkuar nga deputetët e PS në Komisionin hetimor për 25 prillin janë të dhënat e plota nga maja deri në nivelin më të ulët për të gjithë vulnetarët e SMV. Kjo jo vetëm është një ndërhyrje e shtetit në organizimin e lirë të një partie politike, por nga ana tjetër përbën një rast të paprecedentë ku partia që është në pushtet, kërkon të mbledhë të dhënat e burimeve njerëzore të partisë më të madhe të opozitës. Është e paimagjinueshme që kjo të ndodhë në demokraci, ne kemi dhënë sqarime për aq sa ligj idhe kushtetuta na detyron, por nuk jemi dhe nuk do të jemi kurrë të mundur të japim të dhëna të burimeve njerëzore të fushatës së PD. Ata nuk mund të jenë kurrë subjekt i të dhënave të patronazhistëve të PS.

-Me procesin e nisur me distancimin nga Berisha dhe më pas debatet në PD, a do të na garantojë lidershipi blu një opozitë të re dhe të shkëputur nga zullumet e së shkuarës?
Kjo nuk ka diskutim. Fakti që një parti kalon në opozitë në një moment të caktuar të jetës politike, nënkupton nevojën që ka kjo parti për tu ripërtërirë apo qoftë edhe për tu pastruar. Distancimi nga Berisha në fakt nuk është rrjedhojë e zhvillimeve brenda partisë, por rrjedhojë e një qëndrimi të SHBA që PD ka detyrimin për ta njohur dhe për të marrë veprimet e saj në respekt të parneritetit me SHBA. Ka një mohim të këtij fakti nga Berisha, ka një tentativë të tij për të përfshirë PD në betejën që ka me SHBA. Detyra e lidershipit është të mbajë PD larg këtij konflikti!

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë