Parlamenti votoi dje mes kaosit për t’i hequr imunitetin ish -kryeministrit Berisha. Vendimi mori 75 vota të mazhorancës.

Dy orë pas votimit, Kuvendi i Shqipërisë i dërgoi SPAK-ut vendimin e marrë në seancën parlamentare për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Bashkëlidhur ju dërgojmë: Vendim nr. 127/ 2023 “Për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”. Gjithashtu, bashkëlidhur ju dërgojmë edhe raportin rekomandues të deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe raportin rekomandues të deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, thuhet në dokumentin e dërguar në SPAK nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Vendimi u mor brenda 8 minutave mes kaosit dhe tymuesve në sallën e Kuvendit dhe protestës përpara Parlamentit të organizuara nga opozita. Ky vendim i hap kështu rrugë arrestimit të ish-kryeministrit.

“Kuvendi I Republikës së Shqipërisë vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. II. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.

Sali Berisha është zyrtari më i lartë në vend që përballet me ndjekje penale. Pas heqjes së imunitetit, do të jetë gjykata do të vendosë se cila masë është e përshtatshme për këtë rast. Berisha, 79 vjeç, është zyrtari më i lartë në tri dekada që përballet me një situatë të tillë.

Herën e fundit që një ish-kryeministër është përballur me heqje imuniteti dhe arrestim ka qenë korriku i vitit 1993 kur maxhoranca e Partisë Demokratike autorizoi arrestimin dhe përndjekjen e ish-kryeministrit socialist Fatos Nano. Berisha akuzohet nga SPAK se ka kryer ndryshime ligjore në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke kryer për rrjedhojë veprën penale të korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë, vepër penale që parashikon dënim deri në 12 vite burg.

Sipas prokurorëve, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit në kohën kur Berisha ishte kryeministër, mundësuan që dhëndri i tij të ndërtonte biznesin e një kompanie në të cilën ishte aksioner i padeklaruar dhe përfituar minimalisht 5.4 milionë euro dividente të paguara ‘cash’. Malltezi ka mohuar të ketë marrë pagesa dividenti ‘cash’. Berisha deklaron se është i pafajshëm dhe se akuza ndaj tij synon të shkatërrojë opozitën.

“Sot jam më i fortë se kurrë”, deklaroi ai pas vendimit për heqjen e imunitetit.

“Gjithçka është ndërmarrë ndaj meje është ilegjitime dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Vendimet nga alfa tej omega, janë marrë si hakmarrje e mirëfilltë politike në shkelje të çdo parimi dhe çdo ligji të këtij vendi”, shtoi ai.

Koha se kur do të depozitohet kërkesa për zëvendësim mase është në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ashtu si edhe lloji i masës së re, nëse do të jetë “arrest në shtëpi”, apo “arrest në burg”. Referuar procedurës ligjore, pas depozitimit të kërkesës së SPAK në gjykatë kjo e fundit ka 5 ditë kohë për shqyrtimin e saj.

Shqyrtimi i kërkesës për zëvendësim të masës së sigurisë bëhet po nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila më herët caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, që nuk u zbatua nga ishzv.kryeministri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re