Deputetët kosovarë shpeshherë derdhin lot krokodili për mërgimtarët, por kur vije koha t’i presin ata në Kuvend nuk shihen asgjëkundi.

Edhe pse në Kuvend është vendosur një tabelë ku përmes saj ju uron mirëseardhje bashkatdhetarëve këta të fundit nuk priten në mënyrë të organizuar nga ligjvënësit.

Halit Elshani që në orën 10:00 të mëngjesit ka shkuar në objektin e Kuvendit por për një kohë të gjatë ka qëndruar i vetëm në holl pasi që përveç stafit civil aty nuk ndodhej asnjë deputet për ta pritur.

Ai shprehet i zhgënjyer ndaj deputetëve që nuk kanë gjetur kohë për t’i pritur mërgimtarët, por gjithashtu ai kritikon edhe mërgimtarët të cilët edhe ata nuk kanë shfaqur interes për ta vizituar Kuvendin e Kosovës.

Ai më tej tha se gjendja në Kosovë s’është e keqe sa thuhet.

“ Mua më vjen keq që nuk ka mërgimtarë, nuk ka edhe kuvendarë, ne mezi po presim të vijmë, me na fol mirë, e jo ku të shkosh me na fol keq, thua jemi më keq së herëve tjera. Po bëhet një propagandë e keqe, po na demton kjo, ne kemi qejf që kur vijmë të shohim mirë”.

Gjatë kohës sa po fliste para mediave aty shfaqen dy deputetët e PDK-së Ganimete Musliu dhe Zenun Pajaziti si dhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj të cilët i uruan mirëseardhjen mërgimtarëve.

Deputetja Musliu arsyetoi kolegët për mospjesëmarrje në këtë ngjarje duke thënë se është kohë e pushimeve.

Ndërsa deputeti Zemaj tha se në Kosovë nuk janë realizuar pritjet e mërgimtarëve.

“Është një ndër ditët që organizon kuvendi, dëshira vullneti do të ishte e shumicës së deputetëve, angazhimet zyrtare kanë përfunduar, kam ardhur të takohem me miq nga diaspora t’i njoftojmë me punën që bëhet në kuvend”, deklaroi Zemaj.

Ata mërgimtarë që ishin prezent në mungesë të deputetëve u shoqëruan nga stafi civil i Kuvendit për ta vizituar sallën e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi do të jetë i hapur për vizitorë nga diaspora sot dhe nesër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re