Duke nisur nga ora 10 e ditës së sotme, nën drejtimin e Komisionit të Rithemelimit, Partia Demokratike do të zhvillojë punimet e Kuvendit Kombëtar, ku do të zgjidhen dhe anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, si dhe do të propozohet data 22 Maj për mbajtjen e votimeve për kryetarin e ri.

Në Kuvendin që ndryshe nga Dhjetori që u mbajt në stadium, do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, do të marrin pjesë 1 mijë e 100 delegatë të zgjedhur nga degët e PD në të gjithë Shqipërinë.

Bashkë me ta do të jenë edhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatet e rinisë dhe gruas dhe numri shkon në 1800 delegatë.

Drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo tha dje në një dalje për mediar se deputetët dhe kryetarët e rinj të degëve do të jenë anëtarë të Këshillit Kombëtar për shkak të posteve që kanë.

Do të ketë 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyer në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj, ku një prej personazheve që do ti drejtohet delegatëve pritet të jetë edhe Jozefina Topalli. Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00. Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.

Komisioni i Rithemelimit ka ftuar deputetët e Partisë Demokratike të marrin pjesë ditën e nesërme në Kuvendin e 30 prillit. Ne një mesazh dërguar të gjithë ligjvënësve demokratë, u kërkohet që si delegatë të konfirmojnë edhe prezencën e tyre dhe t’i bashkohen Kuvendit për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur.

“I nderuar Deputet i Partisë Demokratike, Nesër, ditë e shtunë, datë 30 prill 2022 zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në bazë të Nenit 42 të Statutit të PD, ju jeni delegat në Kuvend. Kuvendi hap punimet në orën 10:00. Hyrja tek Pallati Kongreseve nga ana e Hotel Rogner, pjesa anësore. Jeni të lutur të tërhiqni mandatin pranë recepsionit në selinë e Partisë Demokratike. Lutem konfirmimin e prezencës nga ana juaj në nr. 0683273805. Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur!”, thuhet në mesazh.

Fax Neës u interesua dje për ti pyetur deputetët që nuk janë rreshtuar në krah të Berishës, dhe një pjesë e mirë e tyre janë shprehur refuzues ndaj ftesës për tëqenë pjesë e Kuvendit.

Te kontaktuar nga Fax Neës deputetët si Fatjon Veizaj, Kastriot Piroli, Bledjon Nallbati, Selaudin Jakupllari, Zef Hila, Zheni Gjergji dhe Lindita Metaliaj  janë shprehur se janë ende të pa vendosur nëse do jenë apo jo pjesë e Kuvendit.

Deputetët të cilët janë të prerë në qëndrimin e tyre dhe nuk do ti bashkohen Kuvendit të Berishës janë: Arbi Agalliu, Agron Gjekmarkaj, Ferdinand Xhaferraj,  Dhurata Cupi, Emilja Koliqi, Enkelejd Alibeaj, Eralda Tase Bane, Flutura Açka, Gazmend Bardhi, Ilda Dhori, Jorida Tabaku, Lefter Geshtenja, Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Ramadan Lika dhe Sajmir Korreshi, Andia Ulliri, Kreshnik Collakun dhe Flamur Hoxha.

Deputetja Açka është shprehur se nuk mund të jetë prezente në një Kuvend ku është pjesë edhe një person që e dëmton PD duke ju referuar liderit historik Sali Berisha.

Po ashtu edhe Hoxha është shprehur se nuk ka si të jetë prezent , pasi mbetet koherentë dhe i qartë në qëndrimin e tij për të kontribuar për PD.

Interesimit te Fax neës nuk i janë pergjigjur deputetët si Alfred Rushaj, Merita Bakiu, Greta Bardeli, Dashamir Sula dhe Helidon Bushati.

Mungesa e një pjese të mirë të deputetëve, duket se do të formësojë edhe më shumë fraksionet në PD, ndërkohë që ndarja duket e paevitueshme.

Në njërën anë mbetet Komisioni i Rithemelimit, me Sali Berishën që ka shpallur pothuajse zyrtarisht kandidaturën për kreun e Partisë Demokratike, pavarësisht njollës ‘non grata’ të amerikanëve, dhe në anën tjetër deputetët e listës Basha, të cilët duken të vendosur për të mbajtur logon zyrtare të PD-së edhe përmes manovrave në Gjykata.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re