Kryedemokrati Lulzim Basha në fjalën e tij nga Kuvendi i PD-së, ka theksuar se është koha e ndryshimit të madh, për krijimin e një elite të re në drejtimin e vendit.

“Duhet një brez i ri politik, elitë e re e vendit e aftë për këtë aspiratë të re të ndryshimit. Fitorja më e madhe është përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re, duhet të ndërtojmë rrugën për kalimin e madh drejt brezit të ri,” deklaroi Basha.

Pjesë nga fjala e Bashës

Ju të rinj nga mosha por edhe nga angazhimi politik që na jeni bashkuar në këto ditë të vështira, ku qeverisjen e dikton krimi, arroganca e jo vullneti për hallet dhe shqetësimet, antivlerat drejtojnë.

Dua të ndaj respektin dhe mirënjohjen time, për gjithë betejat e muajt e fundit në mbrojtje të lirisë, pronës, jetës, demokracisë, që janë testamenti politik i PD.

Respekt për protestuesit, e Teatrit, Astirit, studentët. Rinia studentore ka flakur plogështinë dhe po kërkon që gjërat të ndryshojnë. Koha ka filluar të thërrasë në drejtimin e vendit rinisë dhe duket se ajo do të jetë në lartësinë e kohës. Vendi ka nevojë për një mentalitet të ri politik qasje të re, politikë ndryshe.

Politika ka qenë shpesh e keqja, pengesë , ndarje sesa bashkim, mjet në duart e disave për të grabitur e sunduar të tjerët. Sot kemi nevojë për një politikë perëndimore, për veprime të vërteta jo parulla e predikime e fjalë në erë, kjo nuk është e lehtë por as e pamundur.

Duhet një brez i ri politik, elitë e re e vendit e aftë për këtë aspiratë të re të ndryshimit. Fitorja më e madhe është përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re, duhet të ndërtojmë rrugën për kalimin e madh drejt brezit të ri. Hapja e rrugës për këtë ndryshim të madh arrihet përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik e shoqëror të hapur të lirë e demokratik.

Nga kjo tribunë, ju ftoj në këtë mision të madh për të shpëtuar vendin me të vetmen kurë që ka shpëtuar kombet e përparuara, liri, demokraci dhe europianizëm.
Propaganda mizore i ka bindur shqiptarët se nuk është puna e tyre kur qeveria prish banesat, stadiumin apo teatrin, nëse ata që ngrenë zërin burgosen.
Kjo propagandë i ka kthyer shqiptarë kundër njëri tjetrit, se të tjerët janë shpellarë, ngelësa, armiq.

Rama me klikën e tij të kalbur, po i shtyn shqiptarët drejt cinizmit, duke i bindur se të gjithë janë njësoj, se nderi nuk ekziston, se e mira publike ka vdekur, se të gjithë bëjnë pazare, shiten e blihen, dhe shqiptarët nuk kanë pse të besojnë te askush dhe asgjë.

Shqiptarët janë zhveshur kështu nga ndjenja se i përkasin diçkaje, nga ndjenja e atdheut, ndaj ndihen si qenie të padobishme, pa kurajë, pa forcë. Shumica nuk besojnë më në asgjë, ka humbur besimin te e ardhmja, ndjenjën e qëllimit, ndaj rrinë të mbërthyer në vend e nuk po lëvizin dot.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re