Kreu i Partisë Demokratike në Fier, Agron Kapllanaj gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar ka theksuar se edhe pse nuk ka pasur asnjë post nga PD, sërish është aty në mbështetje të demokratëve dhe shqiptarëve me qëllimin për të krijuar një parti më demokratike në të ardhmen.

Ai gjithashtu nuk ka kursyer akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e quajtur “komunist dhe mashtrues”.

“Unë kam zgjedhur të jem këtu, mes demokratëve, të jem në mbështetje të kryetarit të PD, atij që votuam. Mund të isha në krahun tjetër nëse do të isha inatçor. Unë kam vendosur të garoj e në fund të çdo gare duhet të pranojmë rezultatin. S’kam pasur asnjë post në PD. Nuk kam munguar në asnjë palë zgjedhje, nuk kam munguar të jem komisioner i PD.

Në 2005 ne rierdhëm në pushtet me një filozofi të re, fytyra të reja, por në fakt në krye kishim njeriun i cili në ’91 firmosi pa iu dridh dora ligjin 7501. Na mori pronat edhe njëherë. Si ish i përndjekur politik na persekutoi edhe njëherë për së dyti duke mos na dhënë asgjë. Kjo ishte ajo që na ofroi lideri historik apo lideri i cili vërtetë mundohej të hiqej ndryshe, por në fakt ishte një komunist që nuk ndryshoi asnjëherë. Ne mund të jemi partia unike në botë e djathtë e dalë post-komuniste që është drejtuar nga një ish-komunist.

Nëse do të kishim votuar vetëm 9 në qarkun e Fierit do të kishim marrë 7 deputetë. Unë jam këtu e jo te foltorja, edhe pse Basha nuk më futi në listë fituese. Unë e dua PD, këtë vend, demokratët, qytetarët shqiptarë. Unë e falenderoj Bashën për gjuhën, gjithë atë vizion. Duhet të ndahemi nga urrejtja, nga fjalori i pistë”, tha Kapllanaj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re