Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancën e tij të parë të legjislaturës së re, ku u zhvillua ceremonia e betimit të deputetëve dhe votimi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Nga 140 deputetë të zgjedhur, 135 ishin të pranishëm në sallë dhe bënë betimin sipas procedurës. Pesë deputetë munguan, tre prej të cilëve janë pjesë e grupit parlamentar demokrat: Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi dhe Jozefina Topalli. Sipas burimeve, Bylykbashi dhe Vokshi ndodhen në një takim të Partive Popullore Evropiane, ndërsa Topalli mungoi për shkak të angazhimeve personale.
Betimi i tyre pritet të bëhet në seancën e radhës, sipas rregullores së Kuvendit.
Ndërsa dy deputetë të tjerë, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë nga mandati dhe ata pritet të zëvendësohen.
Seanca u zhvillua mes tonesh të larta dhe përplasjeve politike, ku opozita refuzoi të merrte pjesë në votimin për Kryetarin e Kuvendit dhe hodhi pankarta proteste në kutinë e votimit.
Pavarësisht tensioneve, shumica miratoi me votat e saj Niko Peleshin në postin e Kryetarit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, me vetëm tre vota kundër.
Kjo seancë shënon konstituimin zyrtar të Kuvendit të ri, ndërsa pritet të vijojë me procesin për formimin e qeverisë dhe konstituimin e strukturave parlamentare në ditët në vijim.
