Kreu i Grupit të PS-së, Bledi Çuçi ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës nuk po mbahet i fshehur, por është në proces parlamentar.

Sipas Çuçit, gjykata është shprehur në vendimin e saj se kjo është çështje e Parlamentit.

“Nuk është e fshehur, është në proces parlamentar. Nuk është një vit më duket mos të abuzojmë me kohën, por është në proceset parlamentare.

Duhet të kuptoni se vendimi i Gjykatës thotë se kjo nuk është gjë tjetër veçse çështje Parlamenti”, tha Çuçi.

Vendimi për Xhaçkën

Gjykata Kushtetuese në janar shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Ky vendim i Kushtetueses për mandatin e deputetes socialiste mbetet i pazbatuar prej gati 1 viti në Kuvend.

Çështja e mandatit të Xhaçkës mbahet nga korriku në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi një raport ku i sugjeronte asaj rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Pavarësisht pretendimeve që vijnë nga Kuvendi, duket se kjo është një çështje që varet nga vullneti politik i mazhorancës, pasi kryeministri Edi Rama e quajti të paqartë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i Xhaçkës është vënë në pikëpyetje për shkak të përfitimit të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi të statusit të investitorit strategjik për një hotel në Dhërmi si dhe lejen për shfrytëzimin e brigjeve përpara hotelit.

Ndërkohë disa javë më parë, Prokuroria e Posaçme, SPAK, vendosi masën e sekuestros preventive mbi një sipërfaqe toke prej 5512 m2 në pronësi të Gaçit në bregdet, pasi dyshohet se u përfitua përmes dokumenteve të falsifikuara.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re