Ka nisur në Kuvend seanca ku do të miratohen ndryshimet kushtetuese, që do të pasojnë me hapjen e listave dhe heqjen e koaliconeve parazgjedhore. Në krye të seancës, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se lidhur me këtë cështje do të ketë rreth 2 orë diskutime, nga të cilat 50 minuta i janë dedikuar vetëm Edi Ramës.

Me siguri që në këtë kohë kreu i qeverisë do të përpiqet që të rijustifikohet për këtë ndryshim me turravrap të ligjit themeltar të shtetit, në një kohë kur fokusi i qeverisë dhe jo vetëm duhet të ishte tjetërkund.

Seanca e sotme në Kuvend nuk pritet që të sjellë përplasje, sa kohë që mazhoranca dhe opozita, e kanë deklaruar votën e tyre pro ndryshimeve Kushtetuese, në një kohë kur këto të fundit janë kundërshtuar nga opozita jashtëparlamentare.

Gjatë ditës së djeshme pati një mbledhje deri në orët e vona të Këshillit Politik, ku sërish nuk pati tërheqje nga ana e socialistëve, që e kanë thënë e zeza mbi të bardhë këto ditët e fundit, që Kushtetuta do të ndryshohet edhe pa një marrëveshje me bazë të gjerë.

Shqipëria bëhet kështu shteti i dytë në botë që ndryshon Kushtetutën në kushtet e pandemisë, ndërsa duket se shembulli është ndjekur nga Rusia e Vladimir Putinit. Ambasada e BE-së në vendin tonë, e veçanërisht Gjermania janë shprehur kategorikë kundër ndryshimeve kushtetuese të njëanshme, që sipas tyre do të sjellin pasoja në procesin e integrimit të vendit.

Luigi Soreca tha dje se ndryshimet Kushtetuese do të sjellin me shumë gjasa që qeveria e dalë nga zgjedhjet e ardhshme të mos njihet nga të gjitha palët. E pavarësisht këtyre sinjaleve, Kuvendi po shkon sot drejt miratimit të ndryshimeve Kushtetuese, ndërsa socialistët justifikohen duke thënë se kjo është një kërkesë e publikut për listat e hapura.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re