Kuvendi i Shqipërisë ka njohur Gazment Bardhin si kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Nënkryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj u shpreh se “S’di të keni bërë ndonjë ndryshim! Kemi të njëjtat grupe parlamentare”.
“Çfarë ka Kuvendi për të njohur këtu që konfirmojnë se kreu i Grupit është Gazment Bardhi, çfarë ka këtu si njoftim të ri, s’ka njoftim të ri dhe kjo u mbyll”, theksoi ajo.
Deklarata e Ermonela Felaj erdhi pas një përplasje me disa prej deputetëve të PD-së që kërkuan të lexohej në Kuvend një njoftim i grupit parlamentar të PD-së, ku informohej se Gazment Bardhi ishte kryetari i grupit, me firmat e 28 ligjvënëzve demokratë.
Ermonela Felaj: “Tani shkresa që i është dërguar kryetares së Kuvendit, nuk është një njoftim për ndryshimin e kryesisë së grupit parlamentar, por më parë se të lexoj atë që keni shkruar, do u lexoj nenin 16, i cili thotë ‘për zgjedhjen e kryesisë dhe çdo ndryshim të mëvonshëm vihet në dijeni kryetari i kuvendit’.
Kjo shkresa që mban titullin ‘njoftim’, vetëm njoftim nuk është as nga forma, por është hartim, thotë: grupi parlamentar i PD diskutoi mbi situatën e paprecedentë të krijuar nga ju, lidhur me kryesinë e grupit tonë’.
E çfarë do me thënë kjo? Është njoftim?
Dhe vazhdojmë: për këtë arsye, ne deputetët anëtarë të grupit të PD, ju konfirmojmë, nuk e di nëse keni bërë ndonjë ndryshim, se kryetar është Bardhi, dhe nuk ka nevojë fare aty ku gjërat nuk kanë ndryshuar t’i bëhet njoftim Kuvendit. Që të jeni të qartë me veten, folën deputetë jashtë grupit dhe për një çështje të grupit nuk kishin pse të flisnin apo të kërkonin fjalën.
Kuvendi i gatshëm të veprojmë komform rregullave, ndaj deputetët e opozitës që janë pjesë formalisht të grupit parlamentar të PD, thirrini arsyes dhe bëjini vetë rregullimin brenda grupit tuaj, s’mund t’i bëjë Kuvendi.
Nuk mund ta bllokoni Kuvendin me çështje të brendshme.
Nuk zgjedhim ne grupin tuaj, as sa vetë keni në grup që duhet të jetë jo më pak se sa 7, nëse bien në këtë do të thotë se skam më një grup.
Ne kemi të njëjtat grupe parlamentare dhe deputetë jashtë grupeve parlamentare. Zgjidhini vetë Bardhi.
E konsideroj të ezauruar, çfarë ka Kuvendi për të njohur këtu që konfirmojnë se kreu i Grupit është Gazment Bardhi, çfarë ka këtu si njoftim të ri, s’ka njoftim të ri dhe kjo u mbyll.”