Ilir Meta i ka dërguar një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të cilën i kërkon të raportojë mbi numrin e deputetëve që aktualisht janë në Parlament. 

Në kërkesën drejtuar KQZ, Presidenti kërkon gjithashtu që t’i vihet në dispozicion edhe lista e deputetëve për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe lista shumëemërore e deputetëve në shkallë vendi. 

Kjo kërkesë e Metës vjen fill pas vendimit të Kuvendit ku 100 deputetëve votuan një rezolute që dënonte aktin e presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor.  

Kanë qenë 100 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim, rezultati i votimit elektronik në seancën plenare.

Pas 5 orëve mocion debati,100 deputetët votuan pro rezolutës së Partisë Socialiste, ku radhiteshin argumentet pse dekreti i kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte antikushtetues dhe ku shprehej bindja se zgjedhjet do të mbahen në këtë datë.

Në mbyllje, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi se seanca e radhës do të mbahet ditën e hënën në orën 10:00 ku do të diskutohen pikat e rendit të ditës parashikuar për seancën e sotme, që u zëvendësuan nga mocion debati prej 5 orësh për rezolutën e PS. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re