Skip to content

Kuvendi rrëzon kthimin e tre dekreteve të Presidentit Meta

Kuvendi ka rrëzuar kthimin e tre dekreteve të Presidentit Meta, “Për aktivitetet e turizmit detar”, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Për prokurorimet në fushën e mbrojtjes”.

Sa i përket ligjit “Për prokurorimet në fushën e mbrojtjes”, para disa ditësh, në arsyetimin e tij Presidenti tha se pavarësisht qëllimit pozitiv të deklaruar të kësaj nisme ligjore, mënyra e formulimit të disa prej dispozitave që lidhen me shtrirjen e zbatueshmërisë së këtij ligji, cenojnë parime të rëndësishme kushtetuese.

Të premten e kaluar, në daljen e tij të përjavshme Presidenti Ilir Meta ka bërë një raportim mbi çështjet më të rëndësishme të ndjekura prej tij ndërsa ka arsyetuar se pse ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim 2 ligje: përjashtimin nga TVSH e jahteve për turizëm si dhe atë për përmirësimin e zonave të biznesit. Sipas tij i pari nuk u përgjigjet nevojave jetike që ka vendi, ndërsa i dyti prek direkt bizneset e vogla duke u shtuar detyrimet:

“Dua të nënvizoj edhe një herë se kam kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për një shtesë për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë të ndryshuar që parashikon përjashtimin nga TVSH të jahteve dhe mjeteve të tjera ujore që përdoren për qëllime argëtimi, kënaqësie dhe turizmi”, tha Meta.

Ndërsa “Për aktivitetet e turizmit detar”, Presidenti i Republikës tha se pavarësisht objektivave të deklaruar në nenin 1, për shkak të formulimeve të paqarta të disa dispozitave të tij, duket se nuk shkon kah përmbushjes së këtyre objektivave.(A.M/Faxweb.al)

/faxweb