Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotme plenare miratoi rendin e ditës, ku rrëzoi edhe dy dekrete të Presidentit Ilir Meta për shërbimet e pagesave dhe shtesën e kontratës së koncensionit në Porto-Romano Durrës. Ligji për shërbimet e pagesave kishte objektiv krijimin, licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave, por për Presidentin ishte i paqartë dhe nuk saktësonte kushtet për licencimin e institucioneve duke e kthyer për rishqyrtim, por Kuvendi e rrëzoi.
Dekreti i dytë që u rrëzua sot ishte shtesën e koncesionit të Porto Romanos, që Ilir Meta e kthye për rishqyrtim, por Kuvendi e rrëzoi.

Gjithashtu në seancë u miratua projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës” që synon të rregullojë organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës, si dhe përcakton procedura për mbikëqyrjen e ekzekutimit të masave dhe ekzekutimin e dënimeve alternative, trajtimin e individualizuar të nevojave dhe aftësive të personit të mbikëqyrur për riintegrimin e tij në jetën shoqërore.
Në relacion theksohet se ky projektligj është i nevojshëm për vetë rëndësinë që paraqet në fushën e ekzekutimit të dënimeve alternative në fushën penale dhe të shtrirjes së madhe që ka në 22 degë territoriale pranë çdo gjykate të rrethit gjyqësor. “Ky projektligj synon të forcojë më shumë pozitën e këtij institucioni dhe kompetencat e tij në sistemin penitenciar, duke e ngritur rregullimin e tij në nivel ligji, pasi në këtë mënyrë krijohet një qëndrueshmëri më e madhe juridike për funksionimin e këtij institucioni sipas standardeve ndërkombëtare” shpjegohet në relacion.

Një tjetër projektligj i miratuar sot ishte për ekzekutimin e vendimeve penale që ka për qëllim të forcojë rregullat/procedurat për mënyrën e ekzekutimit të vendimeve penale, të efektshmërisë në shpejtësinë e ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe në kuadër të përmirësimit të procedurës së vënies në ekzekutim të vendimeve penale dhe të urdhrave të tjerë ligjorë nga organet e caktuara me ligj për zbatimin e tyre e në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Kuvendi miratoi edhe projektligjin për për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, që sipas relacionit ka synim; përmirësimin strukturor dhe organizativ të sistemit të burgjeve, krijimin e një sistemi për të përmbushur nevojat për të burgosurit e rrezikuar dhe forcimin e sistemit të integrimit dhe të rehabilitimit për të burgosurit.

Gjithashtu synohet që të bëhet një rikategorizim i burgjeve, mbi bazën e kategorive të individëve që akomodojnë (të dënuar të rritur, të dënuar të mitur, gratë e dënuara dhe të paraburgosurit) dhe mbi bazën e sigurisë së tyre, duke i klasifikuar në: siguri e lartë, siguri e zakonshme, siguri e ulët dhe institucionet e hapura, regjimi i të cilave nuk ka qenë i përcaktuar më parë në legjislacionin ekzistues. Në seancë u miratua edhe zgjatja e afatit të vlefshmërisë së pasaportave që u përfundon brenda vitit 2020 dhe që për shkak të situatës së COVID-it zgjatet deri në datën 31.12.2020.
Votimet e rendit të ditës në seancën e sotme plenare të Kuvendit

Miratohet me 92 vota pro, 11 kundër, 9 abstenim Akti Normativ nr. 21, datë 27.05.2020 “Për disa ndryshime në aktin normativ nr. 9, datë 25.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” miratuar me ligjin nr. 30/2020”

Miratohet me 94 pro, 13 kundër, 5 abstenim, Akti normativ nr. 22, datë 27.05.2020 “Për shfuqizimin e aktit normativ nr. 13 datë 02.04.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentimit gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” miratuar me ligjin nr. 34/2020”.

Miratohet me 98 pro, 10 kundër 3 abstenim, Akti Normativ nr. 23, datë 03.06.2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar”. Miratohet me 91 pro, 13 kundër dhe 4 abstenim projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës”.
Miratohet me 92 vota pro, 12 kundër dhe 3 abstenim projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të ndryshuar”.

Miratohet me 91 vota pro projektligji “Për Policinë e Burgjeve”Miratohet me 92 vota pro dhe 9 kundër projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Rrëzohet projektligji “Për përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe të punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish – funksionarëve, nëpunësve qe kanë ushtruar detyra drejtuese në periudhën 28.11.1944 – 08.12.1990”.

Rrëzohet me 89 vota kundër dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.493, datë 01.06.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”.

Rrëzohet me 85 vota kundër dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.486, datë 22.05.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 58/2020 “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncensionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto-Romano Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015 ndërmjet ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncensionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)” të ndryshuar””

Miratohet me 89 vota pro projektvendimi “Për ngritjen e nënkomisionit për monitorimin e zbatimit të buxhetit të shtetit dhe kontrollin e tij, në përbërje të komisionit të përhershëm parlamentar për Ekonominë dhe Financat”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re