Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë një konference për mediat ka folur në lidhje me gjendjen e parlamentit, i cili prej disa muajsh nuk funksionon normalisht.

Meta tha se rezoluta e Partive Popullore Evropiane tregon qartë situatën, e cila kërkon që të përmbushen sa më parë të drejtat e opozitës dhe parlamenti të përmbushë rolin e tij ndaj ekzekutivit. Ai shtoi se Kuvendi sot vepron si noter.

“Lidhur me vlerësimin e PL për situatën në Kuvend, sapo theksova disa nga momentet më të rëndësishme të shprehura për herë të parë nga rezoluta e Partive Popullore Evropiane, ku kërkohet që të përmbushen  sa më parë të drejtat  e opozitës dhe parlamenti të përmbushë rolin  e tij ndaj ekzekutivit.

Nuk ka diagnozë më të qartë të gjendjes së rëndë ku ndodhet  Kuvendi, i cili sot vepron si noter.

Së dyti është e qartë që në themel qëndron përjashtimi i opozitës dhe sigurisht që është detyra e mazhorancës ose të reflektojë për të garantuar të drejtat e opozitës dhe nëse kjo nuk ndodh është detyra e opozitës të vazhdojë aksionin  dhe përshkallëzimin e tij” tha Meta.

Sa i takon kalimit të ligjit për Investimet  Strategjike  në Kuvend, Meta tha se çdo ndryshim bëhet në interes jo të investimeve  strategjike, por në interes të investitorëve të zgjedhur dhe të lidhur me Ramën.

“Sa i takon ligjit, është e qartë që cdo ndryshim bëhet në interes të investitorëve të zgjedhur dhe të lidhur me kryeministrin,

Janë investime që nuk synojnë zhvillime e vendit, por grabitjen e pasurive të vendit për të pasuruar një klikë të caktuar”, shtoi ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re