Sidriti dhe Meri nisen drejt Burrelit. Kanë shkuar për t’i dhënë një lajm që do t’ja gëzojë shpirtin një nëne me dy jetimë. Në hyrje të shtëpisë së Almirës, Sidritin e Merin i pret Ana e vogël.

Sidriti diskuton me Almirën dhe e pyet sesi ka mundur t’ja dalë e vetme me dy fëmijë të vegjël, pasi i shoqi i ndërroi jetë si pasojë e një infarkti.

Sidriti: Sa kohë ke që rri këtu

Almira: Kam 7-8 vite, qëkur jam martuar me tim shoq. Nuk kemi patur mundësi për më shumë. Prandaj ai shkoi jashtë, për një jetë më të mirë. Njëherë të punonte, me pas diçka më shumë edhe për të blerë një shtëpi… se këtu janë zyra shtetërore. Këtu sipër nesh punojnë.

Sidriti: Unë e kuptoj, sepse edhe ne jemi prindër. Kur bëhesh prind, ikën vëmendja nga vetja e shkon komplet tek fëmija.

Almira: Vetëm fëmijët, është shumë e vështirë (qan).

Sidriti: Rasti juaj është i rëndë Almira. Keni qenë një çift i ri. Bashkëshorti nuk u kthye më, iku e…

Almira: Po kemi folur në telefon. Ishte ulur në një kafe e më pyeti për fëmijët. Nuk kishte mundësi të fliste shumë… kjo ishte telefonata e fundit me të. Meraku që kishte, ishin fëmijët, fjalët e fundit që më tha për fëmijët… (qan)

Sidriti: Eh Almirë, të ra fati që të bëhesh nënë e babë. Fëmijët ende nuk e kuptojnë… ne nuk kemi ardhur për shtëpinë sot, të lëvizim e të shohim diçka e pastaj flasim.

Almira ende nuk e di se e pret një surprizë e madhe që do t’ja ndryshojë jetën. Sidriti e Meri e çojnë nënën me dy fëmijët pikërisht atje… të shtëpia e tyre e re.

“Ne kemi menduar për ju, nuk ju kemi lënë vetëm…”-thotë Sidriti.

“Almira… ky çelës hap derën e shtëpisë tënde”-i thotë Meri Almirës.

“Faleminderit shumë o Zot i madh…Faleminderit të gjithëve, për mua ishte e pamundur një shtëpi, ju falenderoj me gjithë zemër.”-thotë mes emocioneve Almira.

Më në fund Almira do të mund të jetojë e qetë, pasi ishin shqiptarët bamirës e fondacioni Firdeus që i dolën në krahë. Meri e Sidriti kishin po ashtu edhe disa surpriza për fëmijët. Një krevat “dykatësh” siç dëshironte Ana dhe disa ëmbëlsira për fëmijët.