Muri që ka futur në sherr dy familje në Kuçovë, është pronë e shtetit, e megjithatë strukturat vendore prej vitesh qëndrojnë indiferentë, teksa Shefqet Liko dhe Gentian Agalliu mbajnë të ndezur konfliktin mes tyre.

Gazetarja e “Tak Fak” Anxhela Gjiriti e vijoi investigimin në bashkinë e Kuçovës, pas intervistave të kryera me palët e përfshira në këtë konflikt.

Drejtori i IKMT në bashkinë e Kuçovës, Altin Dautaj ka sqaruar se për ankesën e Shefqet Likos është kthyer një përgjigje ku thuhet se pretendimi i tij për murin ndarës me banesën e Gentian Agalliut është jo i drejtë.

Dautaj madje në një moment ka fyer qytetarin, si njeri që ka bërë burg dhe që është mashtrues.

“Unë po ju them se kjo ankesë e Shefqet Likos është trajtuar disa herë dhe i është kthyer përgjgjije. Muri ndarës ekziston prej 30 vitesh dhe ndan dy objekte. Është kufir ndarës i vjetër.

Zotëria ka kërkuar hapësirë publike nga bashkia ndaj ankohet tani. Ky është mashtrues, ka bërë dhe burg për vjedhje. Për ankesën e tij, është bërë verifikimi me IKMT dhe kemi dalë në përfundim që pretendimi nuk është i drejtë”, thotë drejtori i IKMT-së Altin Dautaj.

Ndërsa Sokol Vasili nga zyra e urbanistikës në bashkinë e Kuçovës thotë për gazetaren Anxhela Gjiriti se ndërtimet e 2 komshinjve që janë në konflikt janë ekzistuese prej vitesh.

“Ne i kemi përcaktuar pusetat se ku duhet të lidhen, ja kemi përcaktuar me planvendosje ku janë kanalizimet. Mund të them që puseta më e afërt i është treguar zotërisë, por ai ka prishur kanalizimet që kanë qenë ekzistuese dhe tani thotë dua t’i lidh atje ku dua unë.

Muri ka një disnivel shumë të lartë nga kanalizimet dhe nuk i pengon”, thotë zyrtari i Urbanistikës.

Në lidhje me pretendimin e Shefqetit se muri që ndan kufijtë mes 2 komshinjve nuk respekton distancën 5 metra që duhet të jetë mes dy banesave, përfaqësuesi i zyrës së urbanistikës në bashkinë e Kuçovës, thotë se muri është hapësirë publike dhe nuk ka leje ndërtimi, por prishja e tij nuk është kompetencë e tij.

“Me ligjin aktual, në pronat shtetërore është e pamundur të ndërtohen”, shton ai.

I pyetur nga “Tak Fak”, kryetari i bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, thotë se zotëria e ka marrë përgjigjen me shkresë zyrtare.

“Konfliktet mes tyre nuk zgjidhen nga unë”, theksoi ai në prononcimin e shkurtër dhënë gazetares Gjiriti.

Pas këmbënguljes së “Tak Fak”, bashkia e Kuçovës i nisi një kërkesë për informacion edhe drejtorisë vendore të agjencisë së Kadastrës në Berat ku në kthim përgjigje, ky institucion pohon se muri i ndërtuar në pasurinë 7/611 në një sipërfaqe 135 metra katrorë është në pronësi të shtetit. Tashmë i mbetet bashkisë Kuçovë të shuajë zjarrin mes dy familjeve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko