Pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dje në prezantimin e Aktit Normativ të buxhetit 2017 në Komisionin e Ekonomisë, tha se fondi për shpërblimet do të jetë 18 milionë dollarë.
 
Pensionistët do të përfitojnë 3 mijë lekë shpërblim. Vendimi i posaçëm për shpërblimet do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, ku pritet që përfitues të jenë edhe familjet me ndihmë ekonomike.
 
“Rriten me 1.8 miliardë lekë kontributet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si rrjedhojë e performancës së lartë në mbledhjen e tyre gjatë periudhës janar-shtator 2017. Kjo rritje shkon tërësisht për bonusin e pensionistëve me një efekt neutral për deficitin”, shpjegoi ministri i Financave.
 
Brenda këtij muaji, qeveria do të mbyllë 100 për qind edhe dëmshpërblimet e këstit të 8-të për ish të përndjekurit që janë gjallë. Ministri Ahmetaj tha se fondi për këtë kategori do të jetë 352 milionë lekë.
 
Ministri i Financave, Ahmetaj, deklaroi dje se qeveria është në fazën e evidentimit të pasojave nga përmbytjet dhe nuk ka ende një faturë të dëmit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re