Skip to content

“Ky regjim është një kalbësirë”- Berisha-deputetëve të PD-së: I dëgjoni qytetarët kur thonë “Unë jam socialist, po kurrë me Edi Ramën”? Ata janë të frikësuar

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në mbledhjen e Kryesisë së deputetëve të Partisë Demokratike të Rithemelimit, ndërsa paraditen e sotme Kuvendi i hoqi imunitetin e deputetit, duke i dhënë kështu autorizimin SPAK për përforcimin e masës së sigurisë kundër tij.

Berisha shprehet se aksioni opozitar në Kuvend në fakt nisi vetëm pasi u dokumentuar shkatërrimi dhe vjedhja e zgjedhjeve në Shqipëri dhe i vetmi qëllim i tij është që qytetarët të mund të votojnë të lirë.

Ai u shpreh se qytetarët tashmë e kanë frikë Ramën dhe ndonëse mund të jenë me Partinë Socialiste, kurrsesi nuk janë me të.

Nga sot e tutje, ai kërkoi që të përdoret çdo mjet, e kryesisht mediat sociale, kundër propagandës.

Sali Berisha: Ne jemi të vetëdijshëm se betejën pa kthim e nisëm pas përfundimit të dokumentimit të shkatërrimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Dhe ajo ishte e domosdoshme. Premtimi ynë ndaj shqiptarëve, detyrimi ynë është që të mos i mashtrojmë, përkundrazi që ata të votojnë të lirë.

Diktatura ka krijuar një propagandë të stërfuqishme, si kurrë ndonjëherë më parë, por e gjithë kjo propagandë nuk është e pakapërcyeshme. Kjo kërkon që ne të përdorim çdo mjet që kemi në dorë, dhe që nuk e e kemi përdorur si duhet dhe këto janë rrjetet sociale. Ato do të jenë ekranet tona dhe në këtë situatë ato bëhen më të rëndësishme.

Të nderuar anëtarë të Kryesisë, në kushtet kur armiku ynë disponon të gjitha institucionet e narkoshtetit, ka në disponim 80-90 përqind të propagandës, ekonominë në mënyrën më të pamëshirë, ky rend monist, nuk ka në disponim qytetarët. I mungojnë qytetarët, ata janë të trembur por kanë një urrejtje të pakufishme ndaj Edi Ramës.

Kudo që uleni ju dëgjoni që “unë jam socialist, por s’jam kurrë me Edi Ramën”.

Dëgjoni njerëz të cilët kalojnë ditën në dhimbje dhe mjerim. Pra pakënaqësia ndaj Edi Ramës dhe regjimit të tij është shumë e madhe ndaj të mos besojmë sondazhet që organizon ai vetë.

Mos harroni një gjë, dua t’ju kujtoj periudhën kur nuk na votuan, në ’91. U bë një sondazh nga agjencia më e besueshme në botë dhe si doli… doli se PD ishte 25 pikë pas PS-së. Këto janë sondazhet e frikës. Gallup nuk gënjeu por njerëzit nga frika u përgjigjën në atë mënyrë.

Ju garantoj se në momentin e parë që ne ta vëmë para atë, do të dalë në dritë mbështetja masive që ekziston për PD-në, pro ne duhet të faktojmë se po e vëmë para.

Ky regjim është një kalbësirë i cili në mënyrë absolute nuk ka të ardhme dhe nuk mund të qëndrojë në këmbë në përballje me një opozitë të vendosur gjer në fitoren përfundimtare.

“”