Duke e parë që proceset shpesh po ngecin dhe po kërkojnë më shumë kohë, deputeti nga AKR-ja, Labinot Tahiri, ka zgjedhë që ta citojë ish-presidentin Ibrahim Rugova, i cili kërkonte vazhdimisht nga populli që të ketë durim.

“Ishte dikur Rugova që thoshte ‘durim, durim’, nuk kish pas faj. Edhe unë po ju them që ma mirë është (me duru). Unë s’po flas sikur Rugova, se nuk mund ta zëvendësoj atë në aspektin që e ka thënë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka kritikuar institucionet vendore që nuk po bëjnë sa duhet për shëndetësinë, ku qytetarët e vendit po detyrohen të shkojnë në vendet fqinje, apo edhe më larg, për shërim.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe për liberalizimin e vizave, por njëkohësisht e ka fajësuar edhe Bashkimin Evropian i cili, sipas tij, pa nevojë i ka prolonguar proceset integruese për Kosovën.

Madje Tahiri ka thënë se ndoshta Kosova nuk është e gatshme për të hyrë në BE, kur kihet parasysh gjendja në të cilën jeton populli.

“Nuk po na duhet të hyjmë në Bashkimin Evropian, por liberalizimi i vizave, në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë lirshëm dhe më pas të kthehen në Kosovë për të kontribuar”, thotë ai.

Kujtojmë se ditë më parë Tahiri la të hapur mundësinë e largimit nga AKR-ja e Pacollit për t’iu bashkuar Vetëvendosjes së Kurtit, por deri më tani nuk ka marrë ende vendimin final.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re