Pas suksesit të arritur me fushatën në Kickstarter dhe produktin HELLO, fituesi në kategorinë e Inovacionit të Vitit në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards, Solaborate prezantoi gjeneratën e dytë të HELLO 2.

HELLO 2 mbërrin më 20 Mars në Kickstarter me thirrje audio dhe video të cilësisë së lartë, lojëra, aplikacione për shikim të filmave, si dhe asistentët virtual Amazon Alexa dhe Google Assistant.

Gjithashtu kompania do të ofrojë katër çmime shpërblyese ku fituesit do të marrin produkte HELLO me vlerë prej 10,000 dollarësh dhe pjesë e kësaj gare mund të jeni edhe ju.

Në një intervistë për PCWorld.al, themeluesit e Solaborate Labinot dhe Mimoza Bytyqi, vëlla e motër, ndanë eksperiencën e tyre që nga emigrimi në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara.

Solaborate gjithashtu do të ofrojë HELLO 2 Developer Edition dizajnuar për komunitetin e zhvilluesve. Krahas gjeneratës së dytë të HELLO 2, kompania ofron edhe aksesorët HELLO Wireless Controller dhe HELLO Button.

PCWA: Cilat janë disa prej veçorive kryesore teknike të HELLO 2 që do të bëjnë diferencën krahasuar me produktin e gjeneratës së parë?

HELLO 2 diferencohet nga pajisja e gjeneratës së parë nga shumë karakteristika të reja, si për shembull: Përkrahja e disa Asistentëve vokalë (Voice Assistants), shpejtësia më e lartë e pajisjes, katër mikrofona, kamera me lëvizje automatike, kënd i gjerë i pamjes prej 112 gradë dhe Night Vision, siguri të lartë të privatësisë, si dhe protokolle të reja në aspektin e automatizimit në shtëpi.

HELLO 2 është kompakt, por i pajisur me shumë karakteristika: katër mikrofonë beam-forming, të cilët eliminojnë zhurmën në dhomë dhe lejojnë përqendrim te personi që flet; telekomandë përmes aplikacionit HELLO Solaborate Messenger, integrim të Zigbee dhe NFC, suportim me Airplay dhe Miracast, etj.

PCWA: Një tjetër produkt i ri është HELLO Touch, cilat janë risitë e tij?

4K HDR HELLO Touch TV mund të përdoret në disa mënyra. Funksionin primar e ka që të përdoret si një tabelë whiteboard e cila mund të përdoret me kolegët tuaj gjatë video-konferencave të ndryshme dhe secili mund të kontribuoj në të njëjtën kohë duke shkruar apo vizatuar në whiteboard gjatë video-konferencës. Përdorimi i HELLO Touch TV është pothuajse i pakufishëm — nga përdorimi i tij për prezantime të ndryshme  ku të gjitha palët e pranishme në thirrje kanë mundësinë që të shkruajnë/vizatojnë në kohë reale, deri tek përdorimi i tij për të shpjeguar infografikë të ndryshëm apo për të ndryshuar informata në çdo kohë me lehtësi.

PCWA: Nga se lindi nevoja për HELLO 2 Creator Edition?

Me vendimin që të hapim platformën tonë për zhvilluesit e softuerit dhe harduerit, menduam që t’ju ofrojmë krijueseve të aplikacioneve të ndryshme një edicion të veçantë të HELLO 2. Pas një mbledhjeje dhe diskutimi të hapur me ekipin e HELLO-së, vendosëm që ti japim dritën jeshile versionit kreativ të HELLO 2 (HELLO 2 Creator Edition), një version special i cili do të ketë trup transparent përmes së cilit mund të shihen të gjithë komponentët e HELLO-së.

Kjo, në të njëjtën kohë, tregon në mënyrë simbolike dhe hapjen e platformës sonë, nëpërmjet së cilës zhvilluesit e softuerit dhe harduerit anembanë botës do të kenë mundësinë ti përdorin pjesët fizike të HELLO-së si dhe elementet e ndryshme të platformës Solaborate që të krijojnë softuer por edhe harduer origjinal që punon me pajisjet HELLO.

PCWA: A mund të na flisni për disa HELLO 2 Gadget Extensions?

HELLO 2 është një pajisje shumë e fuqishme dhe ofron mundësi të shumta për të bërë më shumë sesa thjesht audio dhe video konferenca. Këtu ndër të tjera përfshihen mundësia për të luajtur lojëra të ndryshme të cilat janë të bazuara në Android, dhe për të shikuar filma dhe seriale me anë të aplikacioneve Android si Netflix, Hulu, etj. HELLO Gadget Extensions janë një koleksion i produkteve të ndërlidhura që zgjerojnë komunikimin dhe bashkëpunimin me pajiset HELLO. Ndër pajisjet shtesë që do hedhim ne treg janë HELLO Game Controller dhe HELLO Button.

HELLO Game Controller është një mënyrë e re për të luajtur lojëra përmes HELLO-së ndërsa HELLO Button është një pajisje e mençur e cila është e ri-programueshme dhe që mundëson kontrollimin e pajisjeve në shtëpi të mençura (Smart Homes) vetëm me një klikim të thjeshtë.

HELLO Button mund të ri-programohet për të bërë thirrje me një klikim, për ti fikur ose hapur dritat në dhoma të ndryshme, për të ndezur ngrohjen në shtëpi, apo për të lejuar kafshët shtëpiake të telefonojnë pronarët e tyre kurdo që ata duan. Nëse keni qen ose mace në shtëpi, ju mund ti trajnoni ata që të shtypin HELLO Button në mënyrë që t’ju telefonojnë kudo që ndodheni përmes platformës sonë.

PCWA: Cili është vizioni i HELLO 2 dhe cilat janë themelet dhe vlerat mbi të cilat ngrihet?

Vizioni i HELLO 2 është të lejoj komunikim efikas dhe të thjeshtë përmes një pajisjeje e cila shërben si mjeti kryesor për bashkëpunim virtual në zyrë apo shtëpi.

Me HELLO 2 ne po sjellim të ardhmen e komunikimit dhe argëtimit

te konsumatorët dhe bizneset kudo në botë. Është me të vërtetë brezi i ardhshëm i bashkëpunimit virtual dhe video-komunikimit. HELLO 2 bën gjithçka që ju pëlqen përdorueseve deri tani, por gjithashtu ofron mbështetjen e Amazon Alexa dhe Google Assistant, automatizimin shtëpiak (me protokollin Zigbee) dhe lojërat Android. Kjo pajisje mundëson gjithashtu bashkëpunim dixhital përmes vizatimit dhe shkrimit në televizorin e ri 4K HDR të Solaborate: HELLO Touch TV.

Themelet e HELLO-së rrjedhin nga nevoja për video-komunikim të sigurtë dhe të thjeshtë për këdo.

PCWA: Kush janë disa prej sfidave me të cilat jeni përballur gjatë zhvillimit të këtij produkti?

Si çdo kompani kemi pasur disa sfida gjatë zhvillimit të produktit duke filluar nga sfidat teknologjike, gjetjes së burimeve, menaxhimit të projektit, e kështu me radhë. Sfidat teknologjike na  kanë marrë reth 1 vit për tu tejkaluar por mund të themi që ia kemi dalë mbanë me sukses deri më tani dhe mezi presim ti prezantojmë këto produkte inovative në Kickstarter

PCWA: Si është pritur lajmi i HELLO 2, kryesisht nga mbështetësit e kaluar?

Lajmi i HELLO 2 është pritur jashtëzakonisht shumë mirë nga mbështetësit tanë të kaluar në Kickstarter dhe IndieGoGo e kjo na bën shumë të lumtur dhe na jep besim se kampanja jonë e dytë në këtë platformë të mbledhjes së të ardhurave do të jetë edhe më shumë e suksesshme.

Mbështetje goxha të madhe kemi marrë dhe prej blerësve tanë në dyqanin online të HELLO-së si dhe klientë të shumtë të cilët mezi presin për hedhjen e këtij produkti si dhe 4 produkteve të tjera HELLO në treg në mënyre që të jenë ndër të parët përdorues të këtyre produkteve të reja.

PCWA: Kompania do të ofrojë çmime shpërblyese me rastin e debutimit të HELLO 2. Çfarë dhe si mund të përfitojnë konsumatorët?

Kjo lojë shpërblyese do të ofrojë mundësi për konsumatorët të fitojnë një ose më shumë produkte HELLO që do të dalin shumë shpejt në Kickstarter si HELLO 2, HELLO 2 Creator Edition, HELLO TOUCH TV, dhe HELLO Gadget Extensions: HELLO Controller dhe HELLO Button.  Të gjitha këto produkte mund të fitohen falas, të cilat bashkërisht vlerësohen në çmim prej më shumë se 10,000 dollarëve.

PCWA: Cilat janë disa prej planeve të ardhshme të Solaborate, me produktin HELLO në veçanti, e produkte të tjera në tërësi?

Sigurisht që do të jetë përmirësimi dhe krijimi i funksionaliteteve të reja  të pajisjeve HELLO duke marrë parasysh edhe kërkesat dhe sugjerimet e konsumatorëve dhe përkrahësve tanë.  Si idelologji ne jemi të kënaqur me arritjet tona, por gjithashtu synojmë të vazhdojmë të përmirësohemi dhe të ndjekim qëllimin për ti lehtësuar njerëzve komunikimin me familjen, shokët/shoqet, dhe kolegët e tyre.. Kurdo që kemi zhvillime të reja do të ne do të prezantojmë produkte të reja, kështu që mund të prisni produkte të reja nga ne në baza vjetore në të ardhmen.

PCWA: Një mesazh për të gjithë përdoruesit potencial të HELLO 2

Fokusi i kompanisë sonë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë për t’i lehtësuar njerëzve mënyrën e komunikimit që ata të jenë dhe të ndihen sa më afër njëri-tjetrit kudo që ata ndodhen, të rrisi produktivitetin e tyre si dhe të ofrojë një balancë më të mirë mes punës dhe jetës.

HELLO 2 është pajisja jonë më e fundit e cila ofron të gjitha këto. Nëse doni të lexoni më shumë informacione për kompaninë tonë dhe produktet që do nxjerrim së shpejti ju ftojmë të ndiqni faqen tonë të Kickstarter pre-launch këtu. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re